SHBA: Jemi të zhgënjyer me Këshillin Evropian

SHBA: Jemi të zhgënjyer me Këshillin Evropian

Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar pas vendimit të Këshillit Evropian për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një reagim të publikuar sot, DASH thekson se: “Ne jemi të zhgënjyer që Këshilli Evropian nuk njohu përpjekjet për reformat e forta të secilit vend me anë të një vendimi për të hapur tani negociatat për anëtarësim”.

Një vendim pozitiv, vijon reagimi, do të kishte riafirmuar besueshmërinë e rrugës së tyre për në BE dhe do t’i ishte kundërvënë vendosmërisht aktorëve të huaj dashakeqës, të cilët kërkojnë të minojnë vlerat perëndimore dhe komunitetin euro-atlantik.

“Ne njohim faktin që Këshilli Europian nuk i tha “jo” as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut, dhe as nuk përcaktoi kushte të reja për hapjen e negociatave për anëtarësim. Shpresojmë që Këshilli Evropian do të arrijë konsensus për një vendim pozitiv për të dy vendet kohë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor majin e vitit të ardhshëm”, thuhet në deklaratën e DASH.

Shtetet e Bashkuara theksojnë se “do të mbeten partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë teksa vazhdojnë punën për të forcuar sundimin e ligjit, për të çuar përpara përpjekjet anti-korrupsion, për të zhvilluar ekonomitë e tyre dhe për të luftuar krimin e organizuar”.

“I nxisim të dy vendet të mbeten të palëkundura në ndërtimin e shoqërive transparente, të bazuara në rregulla dhe demokratike që iu përgjigjen nevojave të qytetarëve. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojmë me partnerët europianë për të çuar përpara synimet e përbashkëta të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, mbyllet reagimi i DASH.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Tetor 18, 2019 23:05

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA