ShGM, KEMM, SPGPM dhe IMM kërkojnë zhbllokimin e reformave në media

ShGM, KEMM, SPGPM dhe IMM kërkojnë zhbllokimin e reformave në media

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, Këshilli për Etikë në Media, Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik dhe Instituti Maqedonas për Media kanë shprehur përmes një kumtese të përbashkët shqetësimin serioz për vonesën e procedurës për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të rregulluesit mediatik dhe Këshillit programor në Radiotelevizionin publik.

Ata kërkojnë që Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime në Kuvend, urgjentisht të fillojë procesin e zgjedhjes së anëtarëve të këtyre dy organeve për të cilat konkursi është hapur në janar të këtij viti, e vendimi duhej të merrej menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale. Çdo ndërhyrje apo vonesë në proces do të ndikojë seriozisht në zbatimin e reformave në media, thonë shoqatat e gazetarëve.

“Nga zgjedhja e anëtarëve në këto dy organe varen drejtpërdrejt edhe ndryshimet sistematike në fushën e mediave, që duhet të mundësojnë funksionimin e tyre në mënyrë të pavarur dhe profesionale. Rikujtojmë se reformat në media janë kyçe për proceset euroatlantike në vend, gjë që theksohet edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian në të cilin thuhet se: Shteti duhet të bëjë përpjekje për të përmirësuar pavarësinë, standardet profesionale dhe pavarësinë financiare të Servisit Publik. Presim që zgjedhja e anëtarëve të këtyre dy organeve, të zbatohet në mënyrë të drejtë dhe transparente në bazë të kompetencave individuale”,- thuhet në kumtesën e Shoqatave të gazetarëve dhe punonjësve mediatikë.

Ata theksojnë se Qeveria, Kuvendi, por edhe të gjithë aktorët e tjerë politikë, kanë përgjegjësi që t’i qasen seriozisht këtij procesi dhe të ngrihen mbi interesat e partive për të parandaluar dëmet e mëtejshme në sektorin e medias.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Korrik 12, 2019 20:23
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.