Shipkovicë, sallë e re sportive në Sh. F “Rexhep Voka”

Shipkovicë, sallë e re sportive në Sh. F “Rexhep Voka”

Shkolla Fillore “Rexhep Voka” në Shipkovicë të Tetovës ka tanimë sallën e re dhe moderne të sportit, me sipërfaqe prej 650 metra katrorë e pajisur tërësisht për futboll të vogël, hendboll, basketboll, volejboll, pingpong dhe gjimnastikë.

Salla nuk do t’i shërbejë vetëm nxënësve për orën e edukimit fizik, por do të jetë e hapur edhe për aktivitete të tjera sportive pas mësimit edhe nga banorët lokalë, klubet dhe shoqëritë sportive dhe gjithë të interesuarit. Sepse për rini të shëndetshme, nuk duhet mjaftuar vetëm me orët e fizkulturës në shkollë.

“Investimi në ndërtimin dhe avancimin e infrastrukturës sportive do të thotë investim në shëndetin e mirë mendor dhe fizik të të rinjve, kontribut në orientimin e duhur dhe në largimin e tyre nga veset e ditëve të sotme, të cilat për fat të keq janë të shumta dhe lufta kundër tyre nuk ndalet kurrë. Ndërtimi i sallave të reja të sportit dhe në përgjithësi të terreneve të sportit krijon mundësi dhe bazë për ngritjen dhe zhvillimin e sportistëve të rinj dhe reprezentativ të klubeve sportive dhe federatave nacionale të sportit dhe me këtë edhe ambasadorë të rinj të sportit”,- tha ministri i arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi.

Investimi kap vlerën e rreth 24 milionë denarëve dhe është pjesë e projektit për ndërtimin dhe pajisjen e 145 sallave sportive të shkollave fillore dhe të mesme që financohet me mjete nga Banka për Zhvillim pranë Këshillit të Evropës.

Përmes këtij projekti deri më tani janë ndërtuar 70 salla sportive, 15 të tjera janë në ndërtim e sipër.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Shtator 12, 2019 19:03

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...