Shkolla shqipe në Banicë, Ademi: Prindërit kërkojnë paralele në Çashkë

Shkolla shqipe në Banicë, Ademi: Prindërit kërkojnë paralele në Çashkë

Nxënësit e fshatit Kllukovec të Velesit së shpejti do të kenë shkollë të re dhe bashkëkohore, deklaroi ministri i arsimit, Arbër Ademi, i cili thotë se projekti është në fazën përfundimtare. Ndërsa në komunën e Çashkës, me kërkesë të qytetarëve, janë duke u shqyrtuar modalitetet për hapjen e një paraleleje në gjuhën shqipe, nënvizoi ministri Ademi.

“Ne kemi premtuar dhe mbajmë premtimin që në fshatin Banicë, ku nxënësit mësojnë në gjuhën maqedonase në shkolla tjera, të ndërtojmë shkollë moderne, mirëpo gjithashtu deri tek ne ka arritur edhe peticion nga ana e prindërve, ku nuk kërkojnë investim në infrastrukturë në fshatin Banicë, po kërkojnë hapjen e një paralele në qytezën e Çashkës dhe jemi duke i shqyrtuar modalitetet se për hapjen e një paraleleje në gjuhën shqipe në qytezën e Çashkës nuk ka nevojë për procedura të mëdha të ngarkuara e të stërngarkuara administrative, por mjafton vetëm një kërkesë prej komunës drejtuar deri te MASh-i, ku ne sigurisht se do të japim pëlqimin dhe një pëlqim i njëjtë të sigurohet nga ana e Ministrisë së Financave”,- tha ministri i arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi.

Edhe pse komunat janë themeluese të shkollave fillore, ministri Ademi premtoi se do të bëhet angazhim maksimal që hapja e paraleles në gjuhën shqipe të realizohet, duke shtuar se janë duke u shqyrtuar zgjidhjet e mundshme, por kërkesa e banorëve do të jetë prioritet për MASh-in.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Maj 15, 2019 19:22
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.