Shkupi, jo një komunë!

Shkupi, jo një komunë!

Ndryshimet eventuale të Ligjit për ndarje të re territoriale nënkuptojnë hapjen e “Kutisë së Pandorës”. Ekspertët e fushës së decentralizimit nuk e përkrahin propozimin e kryetarit të Shkupit, Petre Shilegov, që në kryeqytet të ketë vetëm një sistem të qeverisjes lokale. Një ndryshim i tillë, sipas tyre, mund të ketë pasoja politike dhe ekonomike.

Shndërrimi i Qytetit të Shkupit në një njësi të vetëqeverisjes lokale, ashtu siç propozon kryetari i këtij qyteti, Petre Shilegov, është i pamundur. Njohësit e zhvillimeve rreth decentralizimit për gazetën KOHA thonë se një propozim i tillë nuk është i logjikshëm, pasi shumë vështirë është të ndryshohet Ligji për ndarje territoriale i miratuar në vitin 2004. Ish-ministri i Pushteti Lokal, Nevzat Bejta, thotë se propozimi të cilën e jep Shilegovi, nuk ekziston në asnjë vend në rajon dhe më gjerë.

“Për shembull, në Tiranë ekziston kryetari i Qytetit dhe brenda qytetit ka kryetarë komunash. Te neve nuk mund të kemi një nivel të vetëqeverisjes lokale në Shkup, për shkak se kemi edhe komuna shqiptare. Pengesat janë si politike ashtu edhe ekonomike. Në këtë rast, qytetarët shqiptarë do të jenë të varur vetëm nga kryetari i Qytetit të Shkupit. Kjo nuk është e logjikshme. Nuk besoj se ndonjë parti politike shqiptare do të pranon një propozim të tillë. Nëse Shkupi si qytet bëhet një komunë kjo nuk shkon në dobi as të qytetarëve shqiptar dhe as atyre maqedonas”, thotë Bejta.

Dispozitat e Ligjit për ndarje të re territoriale, siç shprehet Bejta, përmbajnë shumë mangësi dhe gabime. Sipas tij, nëse preket çështja e vetëqeverisjes në Shkup, atëherë duhet të preken të gjitha komunat në nivelin nacional. Lëshimet, të cilat i përmban ky Ligj, kanë ardhur në pah pas fillimit të funksionimit të komunave të reja.

Idenë e Shilegovit që Shkupi të ketë vetëm një nivel të vetëqeverisjes lokale, me një administratë dhe buxhet (propozim i cili ende nuk është diskutuar në Njësinë për Vetëqeverisjes Lokal), nuk e mbështet as eksperti i çështjeve të decentrazilimit, Rizvan Sulejmani. Duke folur për gazetën KOHA, Sulejmani thotë se nuk beson se ky propozim është më funksional dhe më mirë se sistemi aktual.

“Ekziston një parim në Këshillin e Evropës që çdo qytet me mbi 300 mijë banorë, duhet të kenë edhe një nivel më së paku të decentralizimit. Pra, ky propozim nuk është kuadër të parimeve të KE-së. Për motive politike, një pjesë e komunave rurale i janë bashkangjitur qytetit të Shkupit, për ta ruajtur 20 përqindëshin e përdorimit të gjuhës shqipe. Problemet e komunave rurale dhe atyre urbane nuk janë të njëjta. Ky është një problem politik. Ky propozim i Shilegovit nuk është i qëndrueshëm”, tha Sulejmani.

Ndryshe, viteve të fundit, problemet urbane në Shkup sa vinë e shtohen. Përpos getoizimit me të cilën ballafaqohen banorët shqiptarë, edhe pjesa tjetër e qytetit përballet me probleme të natyrave të ndryshime. Ajri i ndotur dhe problemet ekologjike paraqesin një problem të përbashkët të banorëve të kryeqytetit. Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, vlerëson se nëse dhjetë komunat në kuadër të qytetit “shkrihen” në kuadër të një administrate, buxhet vjetor i qytetit do të dyfishohet dhe mund të arrijë deri në 150 milionë euro. (koha.mk)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Tetor 9, 2019 19:46

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR
Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA