Shqipëri, autoritetet të përqendruar te pasojat e tërmetit

Shqipëri, autoritetet të përqendruar te pasojat e tërmetit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, thirri këtë mëngjes Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për shkak të situatës nga tërmeti i 26 nëntorit. Në takimin me dyer të mbyllura, që zgjati një orë, anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, mes të cilëve edhe kryeministri, kanë raportuar mbi situatën dhe masat e marra. 
Pas takimit, presidenti Meta ka bërë të ditur përmes një postimi në facebook se është diskutuar për një bashkëveprim dhe koordinim më të ngushtë midis të gjitha institucioneve për përballimin e emergjencës deri në rivendosjen e normalitetit të plotë. Kreu i shtetit thekson se është mbështetur Prokuroria, që të çojë përpara hetimet dhe të vendosë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që do të rezultojnë përgjegjës.
Më herët, kryeministri, Edi Rama, mblodhi qeverinë, ku vendosi që familjeve që humbën disa pjesëtarë të tyre nga tërmeti, t’u caktohet një pension i përhershëm prej rreth 800 eurosh në muaj.
Kryedemokrati Basha i propozoi qeverisë ofertën e tij, të anulojë koncensionet, duke e përdorur fondin prej 150 milionë euro për të kompensuar të dëmtuarit nga tërmeti.
Ndërkohë, ka vijuar edhe sot situata problematike me ndihmat. Banorët bëjnë thirrje që shteti të kthejë sytë nga ta.
Pranë banorëve të prekur nga tërmeti ishte sot edhe këngëtarja me origjinë shqiptare, Bebe Rexha, e cila premtoi se do të ndërtonte dy pallate për të pastrehët. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, që nga 26 nëntori në Shqipëri janë shënuar 1380 pas lëkundje nga tërmeti.
Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Dhjetor 2, 2019 19:19

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.