Shqipëria rrezikon të “zbrazet” në 70 vite, 2000 kërkesa në muaj për azil

Shqipëria rrezikon të “zbrazet” në 70 vite, 2000 kërkesa në muaj për azil

Pavarësisht refuzimeve të shumta sërish shumë të rinj shqiptarë kërkojnë të sigurojnë një vend në vendet e BE. Sipas ekspertëve, nëse do të ruajnë të njëjtin ritëm me largimet, do të duhen vetëm 70 vjet që Shqipëria të zbrazet.

Të dhënat nga Eurostat dhe EASO vazhdojnë të tregojnë një tendencë në rritje të shqiptarëve për azil ne vendet e BE.

Për shkak të politikave sociale, destinacioni kryesor i shqiptarëve kohët e fundit ka qenë Franca, ku janë bërë gati gjysma e aplikimeve në gjashtë muajt e parë të vitit 2019.

Nëse të rinjtë shqiptarë do të ruajnë të njëjtin ritëm me largimet, do të duhen vetëm 70 vjet që Shqipëria të zbrazet.

Në total, janë shënuar në të gjithë BE-në 10,680 kërkesa për herë të parë për azil.

Kjo do të thotë se, mesatarisht, që prej fillimit të vitit, çdo muaj janë larguar nga vendi mesatarisht 1780 shqiptarë.

40% e këtyre kërkesave kanë qenë të përqendruara në Francë, ku gjatë 6 muajve të parë të 2019 janë dorëzuar në total 4,435 kërkesa të reja, duke ruajtur tendencën e dy viteve të fundit.

Pas Francës, destinacioni i dytë me numrin më të lartë të azilkërkuesve shqiptarë është Mbretëria e Bashkuar, ku gjatë 6 muajve janë shënuar 1870 kërkesa, ndjekur nga Greqia me 1480 kërkesa për azil, Italia me 830.

Ndërsa Gjermania është kthyer prej kohësh në një destinacion pak të preferuar për shqiptarët, pasi edhe shanset për të marrë një përgjigje pozitive janë shumë herë më të ulëta.

Për gjashtë muajt e parë të 2019-s, të dhënat nga Eurostat tregojnë se aplikuan vetëm 850 shqiptarë.

Eurostat ka raportuar edhe kërkesat për azil që janë bërë në Gjermani për muajt korrik dhe gusht, ku rezulton se kanë aplikuar për të dy muajt së bashku edhe 300 shqiptarë të tjerë.

Rreth 1200 kërkesa të tjera në 6-mujorin e parë janë shpërndarë në vendet e tjera të Bashkimit Europian./oranews

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Tetor 7, 2019 20:21

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR
Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA