Shtatori pret nxënësit me kulmin që pikon

Shtatori pret nxënësit me kulmin që pikon

Ndërtimi i këtij objekti është edhe lëndë e hetimit të inspektoriateve të arsimit dhe ndërtimit për shkak se nuk ka patur dokumentacion teknik gjatë pranim dorëzimit të objektit të rregulluar, thonë nga Komuna e Tetovës. Sa i përket këtij problemi, nga Komuna thonë se janë në koordinim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për të bërë renovimet e nevojshme

Edhe këtë shtator nxënësit e Shkollës fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në fshatin Xhepçisht të Tetovës do të fillojnë mësimin në klasa të cilat pikojnë. Ky objekt shkollor edhe pse nuk është shumë i vjetër, pasi që i njëjti është lëshuar në përdorim rreth 8 vite më parë, megjithatë nga pamjet duket qartë se për një periudhë kaq të shkurtër muret janë plasaritur, pullazi pikon ujë dhe ka nevojë që të rikonstruohet për të krijuar kushte më të mira dhe më të sigurta për nxënësit, pohojnë nga Sektori për arsim në Tetovë, shkruan gazeta KOHA.

Kjo shkollë numëron rreth 280 nxënës të fshatrave Poroj dhe Xhepçisht. Kohë më parë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi kishte premtuar se do të rregullohet çatia e kësaj shkolle dhe se kanë njohuri për problemin në fjalë. Edhe pse gjatë tërë vitit është premtuar se do të intervenohet në kulmin e kësaj shkolle, i cili kur ka reshje shkakton probleme megjithatë në teren nuk janë vërejtur se kanë filluar punët. Kështu, rikonstruimi i kulmit të kësaj shkolle nuk dihet se kur do të fillojë. Disa nga klasat në katin e dytë, për shkak të kulmit të dëmtuar, pikojnë dhe uji depërton edhe nëpër klasa. Kjo ka bërë që kur ka reshje të shiut, në këto klasa të mos zhvillohet mësimi, ndërsa krahas kësaj ekziston drojë se pikërisht nëpër këto klasa ka të vendosur edhe rrjet elektrik që mund të shkaktojë dëme më të mëdha. Autoritetet e kësaj shkolle thonë se ky problem është disa vjeçar.

“Ky problem po na ndjek disa vite me radhë. Me kalimin e kohës, Komuna dhe Sektori për arsim kanë bërë intervenime, por ato kanë qenë afatshkurta. Tash reshjet e para kur do të vijnë, ne jemi të shqetësuar se klasat do të pikojnë. Po ashtu kalon edhe nëpër rrjetin elektrik dhe paraqet rrezik për ndonjë problem më të madh për jetën dhe shëndetin e nxënësve. Ne si organ i shkollës kemi bërë kërkesë deri tek Komuna, ata kanë intervenuar dhe ato nuk kanë qenë të mjaftueshme, dhe na kanë njoftuar se është kërkuar nga Ministria e Arsimit që të intervenohet dhe jemi në pritje”, thonë për KOHA nga kjo shkollë.

Nga Komuna e Tetovës kanë njoftuar disa herë se është bërë kërkesë në Ministrinë e Arsimit për rregullimin e kulmit. “Jemi në pritje të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ne bëmë vlerësim nga ekspertët dhe e dërguam pasi kompetencat për investime kapitale janë të MASH- it. Kemi kërkuar që sa më shpejt të intervenohet, që të mos përsëriten problemet e viteve të kaluara, që kur ka reshje të mos ketë ndërprerje të mësimit” thonë nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës.

Premtimet paraprake kanë qenë se së bashku me sistemin fotovoltaik do të fillojë edhe rikonstruimi, megjithatë sistemet fotovoltaike janë vendosur, ndërsa për kulmin punët nuk filluan. Ndërtimi i këtij objekti është edhe lëndë e hetimit të inspektoriateve të arsimit dhe ndërtimit për shkak se nuk ka patur dokumentacion teknik gjatë pranim dorëzimit të objektit të rregulluar, thonë nga Komuna e Tetovës. Sa i përket këtij problemi, nga Komuna thonë se janë në koordinim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për të bërë renovimet e nevojshme.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Gusht 19, 2019 15:52

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA