Sipërmarrje, dhe jo fabrika të mëdha në Maqedoninë Perëndimore

Sipërmarrje, dhe jo fabrika të mëdha në Maqedoninë Perëndimore

Njohësit e çështjeve ekonomike në vend vlerësojnë se për zhvillimin ekonomike të Maqedonisë Perëndimore, nuk duhet anashkaluar edhe hapjen e fabrikave në zonat industriale, mirëpo sipas tyre, prioritet numër një në përmirësimin e mirëqenies së popullatës së kësaj ane mbetet mbështetja dhe fuqizimi i sipërmarrjes.

Njohësit e çështjeve ekonomike në vend vlerësojnë se për zhvillimin ekonomike të Maqedonisë perëndimore nuk duhet anashkaluar edhe hapjen e fabrikave në zonat industriale, mirëpo sipas tyre, prioritet numër një në hapjen e vendeve të punës dhe përmirësimin e mirëqenies së popullatës së kësaj ane mbetet mbështetja dhe fuqizimi i sipërmarrjes, shkruan gazeta KOHA. “Hapja e fabrikave në zonat ekonomike në Maqedoninë lindore nuk është treguar edhe aq e suksesshme për shkak se ato fillimisht i paguanin punëtorët edhe me 9 deri 12 mijë denarë, një pagë që fitohet edhe në një dyqan, ndërsa edhe tani me pagat prej 16 mijë denarë vështirë të gjesh të interesuar për tu angazhuar në këto fabrika. Nga ana tjetër jemi dëshmitarë se këto fabrika kanë probleme të mëdha me gjetjen e punëtorëve, për shkak se për çdo muaj me dhjetëra e dhjetëra autobusë ikin në perëndim nga Dellçeva, Koçani e kështu me radhë të pakënaqur me nivelin e pagave e në shtet”, vlerëson profesori universitetar Neritan Turkeshi.

Sipas tij, është për t’u përshëndetur dhe përkrahur hapja e fabrikave nga ana e investitorëve të huaj në zonat në Tetovë, Kërçovë apo Strugë që si shifra ngecin në raport me zonat e tjera në Shkup, Kavadar, Shtip apo Manastir, megjithatë sipas Turkeshit, Boshti Kurrizor i zhvillimit ekonomik të Maqedoninë Perëndimore duhet të jenë megjithatë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

“Duhet theksuar se shqiptarët edhe nuk kanë një traditë apo kulturë për të punuar në industri , por me dekada me radhë kanë qenë të orientuar të punojnë privatisht, në bujqësi apo të ikin në mërgim. Edhe aktualisht shtrohet çështja se sa popullata jonë është e interesuar të punojë në këto fabrika kur dihet se vështirë se mund të gjenden 20 inxhinierë shqiptarë apo kur dihet se nxënësit shqiptarë fare pak janë të interesuar të regjistrohen në shkollat e ndryshme të zanatit që nesër të punësohen na fabrika”, shton më tej ai.

Tek ne vështirë se mund të kemi fabrika të tilla si Birarria e Shkupit, Alkalloidi dhe të ngjashme, andaj më e udhës do të ishte që të përkrahet në çdo mënyrë të mundshme, ringjallja e bujqësisë dhe blegtorisë përmes hapjes së kapaciteteve për përpunimin e prodhimeve bujqësore që do të orientohen në eksport, hapja e kompanive nga ana e mërgimtarëve që duhet t’ju ofrohet ndihma dhe mbështetja e gjithanshme për të qenë të interesuar të investojnë në vendlindjen e tyre. Në këtë drejtim një dobi më e madhe për rajonin e Pollogut do të kishte realizimi i një projekti serioz i për Kodrën e Diellit si qendra më e madhe e sporteve dimërore në rajon , që do të sillte edhe mijëra e mijëra punësime të reja, ndërsa nuk duhet harruar as minierën e arit në Maqedoninë perëndimore që është kultivimi i dhenve që gjithashtu mund të hapë perspektiva të shumta të punësimit , që mund të ndërlidhen edhe me industrinë, transportin, turizmin malor, përpunimin e lëndëve të para, e kështu me radhë përfundon Turkeshi.

Ndryshe, investitorët e huaj, por edhe kompanitë në pronësi të shtetit , si dhe kompanitë private vendore, renditen ndër punëdhënësit më të mëdhenj në Maqedoni. Vite me radhë, fabrika që angazhon më shumë punëtorë është investitori gjerman Drekslemajer në Kavadar me 6381 punëtorë ku janë investuar mbi 40 milionë euro dhe janë punësuar banorët, jo vetëm të Kavadarit, por edhe Velesit, Negotinës, Vallandovës…

Punëdhënësi i tretë më i madh në Maqedoni është Kromberg Shubert në Manastir me 4326 punëtorë në vitin 2017. Në ish kompaninë Xhonson Kontroll, apo Adient Siting në Shtip që qep pjesët për sediljet e veturave janë të punësuar afër 2100 punëtorë. Top dhjetëshin e punëdhënësve më të mëdhenj në Maqedoni e përmbyll kompania Genterm që punon në zonën industriale në Prilep, me 1526 punëtorë. Në vendin e 11-të është kompania amerikane Ki Sejft Sisteme, si kompani serioze botërore, me 34 fabrika në 12 vende, e cila në zonën industriale në Kërçovë, angazhon 1452 të punësuar. Ajo prodhon pjesë për brendet e veturave Shkoda Porshe dhe Folksvagen , ndërsa pritet që me linjat e reja të prodhimit do të jetë në gjendje të furnizojë me pjesë edhe brendet Fiat, Suzuki, Honda, etj.

Në vendin e 14-të renditet kompania Lear që punon në zonën industriale të Tetovës shtrihet në 12 000 metër katrorë, me 1378 punëtorë, ndërsa në të ardhmen planifikohen të punësohen 2500 deri 3000 punëtorë, përmes ekspansionit prej 8000 metra katrorë shtesë. Nga kompanitë e tjera që punojnë në zonat në Maqedoninë perëndimore , kompania gjermane ODV-Elektrik në zonën industriale në Strugë filloi në fillim të vitit me realizimin e fazës së dytë të investimeve me ndërtimin e kapaciteteve shtesë ku pritet të punësohen 90 punëtorë të ri krahas 310 punëtorë . Nga kjo kompani kanë paralajmëruar se nëse nuk ka probleme më të mëdha me krizën globale ekonomike në fund do të punësojnë mbi 1000 punëtorë në fabrikën e tyre.

Në shtator të vitit të kaluar, në këtë zonë kompania amerikane e mërgimtarit strugan Arbnor Reçi “Reçi&Sons Enterprise”, filloi me ndërtimin e kapaciteteve të saja prodhuese ku do të punësohen mbi 250 punëtorë.

Ndryshe, të dhënat nga Drejtoria e Zonave Teknologjike-Industriale tregojnë se po punohet në përforcimin e infrastrukturës në të gjitha zonat në shtet ku po mbindërtohet Bunarxhik 2 me 140 mijë metra katror shtesë, ndërsa po punohet edhe në hapjen e zonës së tretë në Bunarxhik. Për sivjet është paralajmëruar edhe përfundimi i gazifikimit në zonën e Shtipit, ujësjellësit në zonën e Strumicës, si dhe ndërtimi i terminalit në zonën e Strumicës. Do të vendoset në funksion edhe rruga qasëse në zonën e Strugës, ndërsa në zonën e Kërçovës po intensifikohen punët në ndërtimin e infrastrukturës së brendshme. (koha.mk)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Shtator 12, 2019 19:28

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...