Softueri i ri shkakton tollovi në kufirin Maqedoni-Kosovë

Softueri i ri shkakton tollovi në kufirin Maqedoni-Kosovë

Autostrada “Arbën Xhaferi” para disa javësh u përurua me një ceremoni madhështore.

Një investim prej 700 milionë eurosh, e gjatë 65.5 km. Vlerësimet janë se kjo autostradë redukton në mënyrë të theksuar udhëtimin Shkup-Prishtinë dhe tani më mund të udhëtoni për vetëm 45 minuta. Por çfarë është ajo që vazhdon t’i shqetësojë qytetarët?

Kolona të gjata në kufirin Kosovë-Maqedoni. Një qytetar na dërgoi një video ku dëgjohet se si debaton me policin kufitar. Arsyetimi sipas policit është vendosja e softuerit të ri në doganë dhe kjo po ngadalëson kontrollin.

Qytetari: Përse qe 2-3 ditë ka kaq shumë kolonë zotëri?
Polici: “Është problem i sistemit, jo i joni”.
Qytetari: Çfarë sistemi është ai që po shkakton gjithë këtë kolonë?

Polici: “Ky është 4-5 herë më i ngadalshëm se sistemi i vjetër”.
Qytetari: Po si ka mundësi që keni vendosur sistem të ngadalshëm në vitin 2019?

Polici: “Nuk e di çfarë të them”.
Qytetari: Po shoh gjithë këtë kolonë, çfarë është kjo gjë palidhje?! Edhe dje edhe pardje e njëjta gjë.
Polici: “Nuk e di”.

Qytetari: Domethënë gjithmonë do të shkaktohen kolona të tilla ë? booo…Në rregull ditë të mbarë.
Nga MPB thonë se është e vërtetë se është ndryshuar sistemi i vjetër me sistemin e ri.

“Po është e vërtetë se është vendosur një sistem i ri elektronik në kufirin Bllacë që është promovuar para një jave. Ka pasur një problem me sistemin por ai është rregulluar menjëherë dhe tani shkon gjithçka siç duhet”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Por të njëjtën gjë nuk e thonë qytetarët. Sipas tyre, pritjet në doganë janë shtuar ndjeshëm. Kjo shkakton nervozë tek ata dhe nëse nuk zgjidhet si çështje, paralajmërojnë denoncime të reja.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Qershor 11, 2019 20:25

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA