Spahiu, Mexhiti dhe Osmani me fragmente nga Ballkani në Nju Jork

Spahiu, Mexhiti dhe Osmani me fragmente nga Ballkani në Nju Jork

Të enjten me 13 Qershor, në MC Gallery në New York, tre artistë nga Gostivari, sjellin fragmente nga Ballkani. Në këtë ekspozitë të përkrahur nga Ministria e Kulturës së Republilës së Maqedonisë Veriore dhe Komuna e Gostivarit do të prezantohen Safet Spahiu dhe Bashkim Mexhiti me piktura, kurse Osman Demiri me fotografi.

Janë këto copëza jete të harmonizuara në një ekspozitë të përbashkët për ta prezantuar artin e tyre pak më ndryshe në një vend prestigjioz siç është Nju Jorku. Gërshetimi i detajeve fotografike të Demirit me ekspresionizmin në pikturën e Spahiut dhe Mexhitit, janë një harmoni ngjarjesh të ndryshme të nënqiellit ballkanik, të cilin ata do t’ia prezantojnë publikut të atjeshem. Ideja e kësaj ekspozite ishte që të tre, secili në mënyrën e vet ta përcjellë një mesazh përtej oqeanit.

Ekspozita në fjalë, e titulluar si “Fragmente nga Ballkani” ngërthen ciklet e fundit të artisteve. Figuracioni i demit në pikturat e Spahiut simbolizon kryeneçesinë e popujve ballkanik, të cilët jo çdoherë zgjedhin dialogun si mënyrë për t’i zgjedhur problemet mes tyre, por instiktivisht dhe të nxitur nga “rrethi” anojnë kah zgjedhja e problemeve me forcë. Nga ana tjetër, lirika ekspresive që është shumë e theksuar në tablotë e Mexhitit, të shkëputura nga cikli “Dimensione kohore”, paraqet shpirtin kreativ të po këtyre popujve.

Ata, edhe përkundër hasmërive dhe tekeve qe kanë historikisht mes tyre, shpirtërisht në vete bartin mirëkuptim dhe tolerancë. Dëshmi me vete janë fotografitë e Demirit, të shkëputura nga cikli “Dialog dhe Kompromis”. Në to autori prezanton dhe vërteton se çdo gjë duhet të fillojë dhe mbarojë me dialog, dhe se, për fat të keq në Ballkan jo rrallë, dialogu nuk përfillet dhe krijohen konflikte, absolutisht të panevojshme dhe se u duhet kohë e gjatë dhe ndërhyrje nga jashtë për t’u gjetur ndonjë kompromis.

Pra, secili nga këta tre artistë, bart më vete idenë dhe kreativitetin artistik, si dhe mesazhin e qartë se mu këto diversitete, Ballkanin e bëjnë të veçantë, dhe se duhet punuar që një ditë këto të njëjtat të formojnë një tërësi të përbashkët. Ekspozita përmban 30 punime dhe do të jetë e hapur 10 ditë.

VLORA DEMIRI

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Qershor 12, 2019 07:30

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.