Stërvitja e Rusisë nervozon zyrtarët e NATO-s

Stërvitja e Rusisë nervozon zyrtarët e NATO-s

Nga avionët, radarët dhe anijet në Balltik, zyrtarët e NATO-s thonë se po ndjekin tani stërvitjen më të madhe ushtarake të Rusisë, që nga 2013, me qetësi dhe besim, por shumëkush është i nervozuar për atë që e konsiderojnë si një testim të aftësive të Moskës për t’i shpallur luftë perëndimit.

NATO beson se stërvitja, që zyrtarisht fillon të enjten në Bjellorusi, në detin Balltik, Rusinë perëndimore dhe enklavën ruse të Kaliningradit, ka nisur tashmë. Ajo thotë se stërvitja është shumë më e madhe nga ajo që Moska ka deklaruar, me mbi 100 mijë trupa dhe përfshin edhe hedhjen e raketave balistike me kapacitete bërthamore.

Emri në kod i stërvitjes është Zapad, ose Perëndimi dhe zyrtarët e NATO-s thonë se ajo do të stimulojë një konflikt me aleancën e udhëhequr nga SHBA, që ka si qëllim të tregojë aftësinë e Rusisë për të mbledhur një numër shumë të madh trupash në një kohë të shkurtër, në rast të një konflikti.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha javën e kaluar se aleanca mbetet e qetë dhe vigjilente përballë stërvitjes. Por, zyrtarët lituanezë janë më të shqetësuar dhe shprehin frikën se stërvitja rrezikon të shkaktojë një konflikt aksidental ose mund të lejojë Moskën që të lërë pas trupat e saj në Bjellorusinë fqinje.

Disa zyrtarë perëndimorë, përfshirë shefin e ushtrisë amerikane në Evropë, gjeneralin Ben Hodges, kanë ngritur shqetësimin se Rusia mund ta përdorë stërvitjen si një kalë troje për të ndërhyrë në Poloni, apo rajonet rusisht folëse të Balltikut.

Kremlini hedh poshtë një skenar të tillë dhe thotë se 13 mijë trupa nga Rusia dhe Bjellorusia do të përfshihen në stërvitje, një shifër më e vogël kjo nga ajo e dhënë nga vëzhguesit e jashtëm. E acaruar me Moskën, pas aneksimit të Krimesë dhe ndërhyrjes në Siri, NATO nuk ka besim tek mesazhi publik i Kremlinit.

/ Top Channel

Abedin Bilalli
nga Abedin Bilalli Shtator 14, 2017 00:15

MARKETING

NA NDIQNI NE FACEBOOK

MOTI SOT
26°