Stoltenberg: Anëtaret e NATO-s rrisin financat për mbrojtjen

Stoltenberg: Anëtaret e NATO-s rrisin financat për mbrojtjen

“Aleatët evropianë dhe Kanadaja, nga viti 2016 kanë shpenzuar 41 miliardë dollarë shtesë për çka deri në fund të vitit ne presim të arrijmë në 100 miliardë dollarë”, tha Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi sot se të gjitha shtetet anëtare tashmë kanë filluar të rrisin alokimet buxhetore për sektorin e mbrojtjes.

Kreu i Aleancës Veri-Atlantike ka pasur një prononcim për mediat me rastin e publikimit të raportit vjetor për vitin 2018, me ç‘rast theksoi se NATO vazhdon me investimet të cilat kanë për qëllim, kapërcimin e sfidave të sigurisë në të ardhmen.

Ai tha se NATO ka rritur buxhetin e mbrojtjes vitin e kaluar, por gjithashtu ka bërë përparim në fushën e mbrojtjes dhe parandalimit.

Stoltenberg u tha gazetarëve në Bruksel se vitin e kaluar NATO zbatoi një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake në periudhën e kaluar disavjeçare, bashkë me zhvendosjen e selisë në një godinë të re në Bruksel, ndërkohë që theksoi se është arritur përparim i dukshëm në kapacitetet e mbrojtjes kibernetike.

Ai shtoi më tej se NATO vazhdoi të veprojë në cilësinë e anëtarit të koalicionit ndërkombëtar në luftën kundër organizatës terroriste DEASH duke intensifikuar bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe se ka filluar procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut.

“Shpërndarja e mjeteve financiare në NATO duhet të jetë e drejtë. Të gjitha shtetet tashmë kanë filluar të rrisin alokimet buxhetore për mbrojtjen. Aleatët evropianë dhe Kanadaja, nga viti 2016 kanë shpenzuar 41 miliardë dollarë shtesë për çka deri në fund të vitit ne presim të arrijmë në 100 miliardë dollarë”, tha Stoltenberg.

Në raportin vjetor të NATO-s thuhet se për nga shuma e alokuar, shtatë anëtare vitin e kaluar kanë tejkaluar limitin prej 2 për qind të të ardhurave bruto kombëtare, që është një kufi të cilin vendet anëtare të NATO-s e vendosën në vitin 2014.

Shumën më të madhe e kanë ndarë SHBA-të, 3.39 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), të ndjekur nga Greqia me 2.22 për qind dhe Britania me 2.15 për qind. Estonia, Polonia, Letonia dhe Lituania kanë tejkaluar kufirin prej 2 për qind.

Turqia ka shpenzuar 1.64 për qind të PPB-së, Gjermania 1.23 për qind dhe Italia 1.15 për qind.

Belgjika dhe Spanja ndanë nga 0.93 për qind të PBB-së, që i bën të renditen në fund të listës, ndërsa më pak se ato shtete ka ndarë vetëm Luksemburgu, 0.54 për qind të PBB-së./aa/

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Mars 14, 2019 22:38
Loading...

ARKIVI I LAJMEVE