Strategjia e re për mbrojtje vihet në debat, Pendarovski: Dokumenti, në harmoni me realitetin

Strategjia e re për mbrojtje vihet në debat, Pendarovski: Dokumenti, në harmoni me realitetin

Vendi do t’i qaset anëtarësimit në NATO me një strategji të re për mbrojte, e cila pritet të hyjë në fuqi së shpejti. Sipas presidentit, Stevo Pendarovski, dokumenti strategjik është në harmoni me realitetin e ri në të cilin ndodhet vendi, siç është anëtarësimi i afërt në NATO.

“Pas ftesës për anëtarësim në Aleancë, jemi në ujëra të qeta, por sfidat e sigurisë në rajon ende janë prezente. Terrorizmi, ekstremizmi fetar, sulmet sajber, fushatat dezinformuese, luftërat hibride janë prezente dhe nuk do të zhduken shpejt. Mënyra më e mirë për ballafaqim me kërcënimet bashkëkohore të sigurisë, të cilat ndodhen lartë edhe në agjendën e NATO-s, është që të ndjekim informatat dhe trendet dhe së bashku me vendet e tjera anëtare të Aleancës, të përballemi me to.”,- tha kryetari i RMV-së, Stevo Pendarovski.

Dujovski: Mbulon zbrazëtirën juridike

Sipas dekanit të Fakultetit të Sigurisë, Nikolla Dujovski, Strategjia e re mbulon zbrazëtirën juridike që ka pasur vendi për një dekadë.

“Janë shënuar qartë rreziqet me të cilat mund të përballemi periudhën e ardhshme, përfshi edhe terrorizmin, kërcënimet, përfshi edhe migracionin ilegal me të cilin edhe sot jemi në gjendje krize. Vazhdojmë të ndjekim me vigjilencë ndodhitë e tilla, por ky dokument është me rëndësi pasi për një dekadë shteti nuk kishte një akt në të cilin mund të thirrej në situata të caktuara.”,- deklaroi dekani i Fakultetit të Sigurisë, Nikolla Dujovski.

Gjurovski: Ligj të ri për agjenci për zbulim

Një pjesë e fellës akademike konsideron se reformat në sistemin e sigurisë duhet të përmbyllen me një ligj për formimin e Agjencisë për zbulim.

“Reforma në sistemin e sigurisë dhe zbulimit duhet të kontribuojë në rritjen e profesionalizimit në shërbime, armatë dhe në institucione të tjera, përmes depolitizimit dhe zbatim transparent në të gjitha fazat e punës së shërbimeve, që nga selektimi i kuadrove deri te sistemi i karrierës dhe zhvillimin e të gjitha proceseve, i cili duhet të rrumbullakohet me ligj të ri për formimin e Agjencisë për zbulim.”,- u shpreh profesori universitar, Marjan Gjurovski.

Reformat në sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë janë ndër kushtet thelbësore për integrimin euroatlantik të vendit, të cilat gjithashtu kanë ndikim edhe në zhvillimin ekonomik dhe demokratizimin e vendit.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Tetor 9, 2019 19:20

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR
Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA