Studentët e Fakultetit të Mjekësisë praktikën profesionale e kryen në Universitetin e Trakisë

Studentët e Fakultetit të Mjekësisë praktikën profesionale e kryen në Universitetin e Trakisë

Studentët e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës edhe gjatë pushimeve të verës i kanë vazhduar angazhimet e tyre studimore për zgjerimin e njohurive të reja në lëmin e shkencave të mjekësisë. Në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim ndëruniversitar në mes Universitetit të Tetovës dhe Universitetit të Trakisë, studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të Universitetit tonë, prej 22 korrik deri më 2 gusht 2019 kanë qëndruar në Edrene të Republikës së Turqisë për ta kryer praktikën
profesionale. Vizita e tyre në Turqi pason vizitat e mëhershme të studentëve tanë që tashmë vite me radhë përfitojnë profesionalisht nga vizitat e tilla me karakter praktik – studimor.

“Trajnimi ka filluar nga 22. 7. 2019 dhe ka mbaruar më 2. 8. 2019. Fillimisht, studentët u takuan me
Rektorin e Universitetit te Trakisë, Prof. Dr. Erhan Tabakoglu, i cili u shpreh i kënaqur që kontaktet me
Universitetin e Tetovës, shtohen dita – ditës. Ai, po ashtu theksoi se Prof. Dr. Vullnet Ameti është një mik
i ngushtë dhe ka kënaqësi të mirëpres mysafirët nga Rektori i UT-së dhe u shpreh para studentëve se
do të jeni udhëheqës të mendimit që do t'i udhëheqin komunitetet”, deklaroi Ass. Dr. Blerim Rustemi – udhëheqës i grupit të studentëve. Në takimin e lartpërmendur, në shenjë mirënjohje për bashkëpunimin e shkëlqyer institucional, mbështetjen e vazhdueshme ndaj Universitetit të Tetovës, përkatësisht Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Ass. Dr. Blerim Rustemi, në emër të Rektorit të UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Rektorit të Universitetit të Trakisë, Prof. Dr. Erhan Tabakoğlu i ndau një dhuratë simbolike.

Profesorët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë i vlerësojnë tejet të rëndësishme ekspeditat e
tilla studimore që kanë për qëllim thellimin e studimeve, njohjen me teknologjinë e re me të cilën nga dita në ditë pajiset mjekësia bashkëkohore, sidomos në shtetet si Turqia, ku investimet për këtë sektor janë marramendëse. Ata, po ashtu theksojnë se studentët tanë i kanë njohuritë e duhura për t’u përballur me këto ritme dhe mu për këtë qëllim këtë vit e përzgjodhën Universitetin e Trakisë për t’i kryer ushtrimet profesionale në lëndët paraklinike, si: Anatomi, Histologji, Fiziologji, Patologji, etj. Përshtypjet e studentëve nga qëndrimi i tyre në këtë universitet janë pozitive dhe shprehen se njohuritë e përfituara do t’u shërbejnë gjatë studimeve, por edhe në profesionin e mjekut që do ta ushtrojnë në të ardhmen. Pas përfundimit të orarit të praktikës profesionale në lëndët paraklinike, gjatë qëndrimit në Turqi, studentët e UT-së kanë realizuar edhe disa vizita në monumente turistike të qytetit të Edrenesë dhe të Stambollit, ku nga afër janë njohur me vlerat e tyre kulturore dhe trashëgiminë e pasur arkitektonike. Flaka

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Gusht 23, 2019 15:24

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...