Tetova bëhet me stacion për ngarkim të mbeturinave

Tetova bëhet me stacion për ngarkim të mbeturinave

Kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi në prani të përfaqësuesve të Ndërmarrjes publike komunale e hapi stacionin për ngarkimin e mbeturinave i cili ndodhet në afërsi të fshatit Trebosh të Tetovës, vetëm tre kilometra prej qytetit të Tetovës.

Në këtë stacion do të ngarkohen mbeturina të cilat do të grumbullohen prej amvisërive në bazë ditore, ndërsa më pas të njëjtat do të dërgohen në kontejnerë në deponinë “Drislla” në Shkup.

Kryetarja e komunës Arifi tha se ky është vetëm fillimi i zgjidhjes së problemit me mbeturinat. Për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi me dekada, sipas saj, duhet të ndërtohet stacion për riciklimin e mbeturinave dhe të rregullohet deponia rajonale “Rusino”, projekte për të cilat Komuna e Tetovës punon me organizata të huaja.

“Ky është moment historik për Tetovën. Mbeturinat më nuk do të hidhen në tokë, por do të hidhen në hinkë dhe nuk do të ketë kurrfarë prekshmërie me tokën, por ne gjithashtu jemi duke punuar edhe në stacionin për riciklimin e mbeturinave. Me këtë stacion do të përforcohet gjendja financiare e ndërmarrjes komunale prej njërës anë, ndërsa nga ana tjetër do të zvogëlohet sasia e mbeturinave që ne çdo ditë e ngarkojmë dhe e dërgojmë në deponinë “Drislla” në Shkup. Momenti i dytë është rregullimi i deponisë rajonale “Rusino” për të cilën negociojmë me komunat e tjera nga rajoni i Pollogut. Me rregullimin e saj në mënyrë të plotë do të zgjidhet problemi me mbeturinat në rajonin e Pollogut”, deklaroi Arifi.

Ajo, gjithashtu, deklaroi se lokacioni ku deri më tani ngarkoheshin mbeturinat në hyrje të Tetovës do të pastrohet për një kohë të shkurtër dhe i tërë vendi do të trajtohet me preparate përkatëse kimike.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Korrik 12, 2017 12:48

MARKETING

NA NDIQNI NE FACEBOOK

MOTI SOT
26°