UNT përkujton tragjedinë e Holokaustit, shqiptarët të vetmit që ndihmuan hebrenjtë

UNT përkujton tragjedinë e Holokaustit, shqiptarët të vetmit që ndihmuan hebrenjtë

UNT shënoi Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit, me ç’rast u përkujtua tragjedia që ka ndodhur gjatë luftës së dytë botërore, ku 6 milion hebrenj u vranë në kampet e përqendrimit të themeluara nga regjimi nazist. Kjo datë duhet të kujtohet dhe studiohet në mënyrë që ngjarjet e tilla të mos përsëriten, theksoi rektori i UNT-së, Aziz Pollozhani.

“Duhet të mos e nënvlerësojmë rolin e urrejtjes dhe paragjykimeve, të mos jemi indiferentë, të jemi gjithmonë në anën e së drejtës, së mirës, sepse vetëm kështu mund të pengojmë përsëritjen e tragjedive të tilla në botë”,- tha rektori i UNT-së, Azis Pollozhani.

“Ne e kemi quajtur këtë projekt “Guximi qytetar në kohë të vështira” dhe me studentët kemi filluar që në universitet t’i hapim këto çështje të ndjeshme nga e kaluara jonë historike”,- tha Skender Asani nga AKTA NON VERBA.

Shqiptarët ishin të vetmit që ndihmuan popullin hebre, duke mos qëndruar indiferentë ndaj së keqes dhe racizmit, u tha me këtë rast.

“Ne i qëndruam besnikë parimit se shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe mysafirit që sot e kësaj dite ekziston në traditën e ekzistencës tonë, prandaj pa aspak ngurrim bëmë shtëpitë tona, strehën tuaj të sigurt nga ligësia e zemrave të sëmura”,- u shpreh kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.

“Askush më shumë se populli i Kosovës nuk e ndjen dhe kupton se çka do të thotë të jesh i torturuar dhe i vrarë mizorisht, andaj kam nderin të jem i pranishëm fizikisht që në emër të popullit të Kosovës të shpreh solidarizimin me popullin mik hebre”,- tha ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Gjergj Dedaj.

“Ne kemi programe speciale në studimet tona ku mësohet se si shqiptarët kanë shpëtuar hebrenjtë dhe këto shembuj janë shumë të njohur në histori. Kemi organizuar edhe programe speciale për nxënësit ku tregohen storje të vërteta për krimin që ndodhi në mënyrë që të mos harrojmë këto ndodhi dhe të mos lejojmë që të njëjtat të përsëriten”,- theksoi ambasadori i Izraelit në Maqedoni, Dan Orian.

Ndërkohë, tragjedia e Holokaustit u përkujtua edhe në Qendrën Memoriale të Holokaustit. Edhe pse nuk janë regjistruar incidente të përmasave të mëdha, sërish janë vërejtur grafite ku përdoret gjuha e urrejtjes kundër hebrenjve.

“Kemi vërejtur se në shkolla, garazhe, vizatohen grafite ku përdoret gjuha e urrejtjes dhe mohimi i Holokaustit në rrjete sociale. Është e patjetërsueshme që vendi të ndërmarrë masa dhe të luftojë kundër antisemitizmit”,- u shpreh drejtori ekzekutiv i Fondit të Holokaustit të Hebrenjve nga Maqedonia, Goran Sadikario.

“Shumë qytetarë lajmërohen në Qendrën Memoriale me kërcënime se Holokausti nuk ekziston, se hebrenjtë duhet të ndalojnë, ta maltretojnë këtë shtet dhe shpresoj se grafitet “Maqedoni e pastër” kanë të bëjnë me një vend ekologjikisht të pastër dhe nuk nënkupton që vendi të pastrohet nga ata që nuk janë maqedonas etnikë”,- deklaroi koordinatori nacional në Aleancën Ndërkombëtare për Rikujtimin e Holokaustit, Jovan Tegovski.

Vendit i nevojiten fushata kundër antisemitizmit, debate me nxënësit në mënyrë që të parandalohet gjuha e urrejtjes dhe brezi i ri të luftojë diskriminimet racore dhe fetare, u tha me këtë rast.(Tvm2)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Janar 28, 2019 18:56
Loading...