Ushtarët serbë i thonë “Po” Ushtrisë së Kosovës

Ushtarët serbë i thonë “Po” Ushtrisë së Kosovës

Përkundër të gjitha komplikimeve politike dhe ndëretnike shqiptaro-serbe të kohëve të fundit, ekziston një lajm pozitiv për shtetin tonë.

Viti 2019 nuk shënon asnjë largim të ushtarëve nga komuniteti serb prej Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka konfirmuar për klankosova.tv se pas vlugut të vitit të kaluar, dorëheqjet janë ndërprerë që nga Viti i Ri.

“Gjatë vitit 2019 nuk ka pasur vazhdim të largimit të pjesëtarëve të FSK-së të komunitetit serb”, ka thënë zëdhënësi i kësaj ministrie, Ibrahim Shala.

Ai ka treguar se gjatë fushatës dhe presionit që bënte Serbia ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb që ta zhvishnin uniformën e FSK-së ka pasur 80 largime.

Por, boshllëku i krijuar tash po plotësohet. Shala ka konfirmuar se në procesin e fundit rekrutues ka pasur shumë aplikantë nga komuniteti serb, por tash për tash kanë vendosur të mos e tregojnë numrin e tyre.

“Ka pasur aplikantë të komuniteteve pakicë. Numri i përgjithshëm ka qenë 174, prej tyre një numër i konsiderueshëm janë të komunitetit serb”.

Për Qeverinë e Kosovës largimet janë ndërprerë, pasi “është ngritur vetëdijesimi”.

“Unë mendoj që ka të bëjë me vetëdijesimin e qytetarëve serbë te cilët më nuk bien nën presionin e zyrtarëve serbë dhe strukturave-elementeve tjera krimnale brenda Kosovës”, ka thënë Erolld Belegu, këshilltar i Kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ai ka theksuar se hendeku i krijuar me largimin e ushtarëve serbë do të plotësohet.

“Besojmë se numri i serbëve do të rritet me rekrutime të reja, pasi në listën e aplikantëve ka me dhjetëra serbë kosovarë. FSK i pranon të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë për të shërbyer në këtë forcë multientnike që për nga përbërja është me më shumë nacionalitete sesa shumica e shteteve të NATO-s”.

“Edhe sot FSK është forcë më multietnike se përbërja etnike e Kosovës, duke pasur në rradhët e saj mbi 8 përqind të ushtarëve nga minoritetet”.

Belegu ka përmendur se 80 ushtarët e larguar në vitin e kaluar kanë qenë të detyruar që ta bëjnë këtë pasi trysnia nga Beogradi ka qenë shumë e madhe.

“Fatkeqësisht, Qeveria serbe ka bërë presion të madh duke i kërcënuar ushtarët e FSK-së të komunitetit serb, duke i penguar-arrestuar në vendkalimet drejt Serbisë dhe presione të tjera, me ç’rast një numër i tyre është detyruar të largohet nga shërbimi prej FSK-së. Kjo pos që është një lloj terrorizmi serb mbi këta të rinj, i ka larguar të njëjtit duke i lënë edhe pa të hyra substanciale për familjet e tyre me premtime të rrejshme për punësim në Gjermani, etj”.

“Qeveria e Kosovës i ka dënuar këto akte dhe në raste të caktuara organet tona të sigurisë kanë intervistuar individë që i kanë kërcënuar të njëjtit”.

Për ish Komandantin e FSK-së, Kadri Kastratin, Serbia me fushatën që të tërhiqen sa më shumë ushtarë serbë ka dashur ta pengojë transformimin e FSK-së në Ushtri.

“Qëllimi i Serbisë ka qenë që Ushtria e Kosovës të mos jetë multietnike”.

Për të, dorëheqjet nuk janë ndërprerë ngase Serbia e ka ndalur fushatën e saj, por që pjesa e mbetur e ushtarëve serbë në FSK janë më të vetëdijshëm.

“Ata e dinë se Republika e Kosovës është vend i tyre. Tjetra është se e kanë kuptuar që qëllimi ka qenë politik dhe e dinë se ata duhet të jetojnë këtu”.

Ish numri një i FSK-së, ka theksuar se Kosova nuk i është përgjigjur me asnjë strategji kësaj problematike.

“Nuk ka pasë kurrfarë strategjie shtetërore. Çështja është individuale, secili ushtar vendos për vetën. Zinxhiri komandues i FSK-së ka biseduar me të gjithë ushtarët një nga një. Kam kuptuar se zinxhiri komandues i ka ftuar ata që të rrinë në FSK”.

Ai ka thënë se largime ka pasur edhe në periudhën sa e kishte drejtuar Forcën e Sigurisë.

“Janë larguar si serbët, si shqiptarët, por jo me largime masive sikur në rastin në fjalë. Secili ushtar që është larguar ka kërkuar jetë më të mirë”.

Kastrati ka pohuar se nuk beson që tash e tutje mund të ketë valë largimesh sikur më 2018.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Prill 11, 2019 19:41
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.