Vazhdojnë protestat në Irak, policia përdor armët e zjarrit

Vazhdojnë protestat në Irak, policia përdor armët e zjarrit

Forcat irakiane të sigurisë kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të protestuesve të mërkurën në Bagdad në kohën kur tensionet janë rritur edhe në pjesë të tjera të vendit mes kryengritësve dhe elitës së politikës.

Pavarësisht vendimit të autoriteteve për ta ndërprerë internetin dhe dhunës në protestat e mëparshme ku vdiqën rreth 280 njerëz, në Bagdad dhe në Irakun jugor me shumicë shiite edhe të mërkurën pati protesta masive.

Protestat filluan më 1 tetor për të kërkuar luftë më të ashpër kundër korrupsionit dhe shkallës së lartë të papunësisë. Megjithatë, protestuesit tashmë po kërkojnë që i tërë sistemi i pushtetit të tërhiqet.

Në kryeqytet, protestuesit zakonisht janë mbledhur në sheshin Tahrir, por ata kanë filluar të shpërndahen edhe afër urave që kalojnë mbi lumen Tigris.

Policia përdori plumba lufte të mërkurën kur protestuesit tentuan ta kalojnë një urë. Disa protestues u plagosën nga të shtënat e policisë në këtë përleshje.

“Policia na qëlloi me shkopinj në kokë dhe ne i sulmuam me gurë, por më pas filluan të qëllojnë me armë zjarri”, tha Mahmoud-i, një djalë 20 vjeç që po merrte pjesë në protestë.

Mjekët dhe vëzhguesit e organizatës “Amnesty International” kanë thënë se policia po i sulmon protestuesit me gaz lotsjellës duke i sulmuar ata drejtpërdrejt, shkruan “France24”.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Nëntor 6, 2019 20:13

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA