Vendimi pozitiv i Holandës, Osmani: Tani sfiduese Ligji për Prokurorinë Publike

Vendimi pozitiv i Holandës, Osmani: Tani sfiduese Ligji për Prokurorinë Publike

Vendimi i Këshillit të ministrave të vendeve anëtare të BE-së më 15 tetor pritet të jetë pozitiv, që mos të shuhet shpresa europiane e vendit dhe riaktualizuar kundërthëniet etnike, shprehet zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani. Në “Argument” në TVM2, Osmani thotë se pas vendimit pozitiv të Holandës, edhe presidenti Makron pritet të marrë vendim pozitiv.

Osmani optimist se procesi nuk do të pengohet as nga Bullgaria, pasi fqinji lindor, sikurse edhe Greqia, do të reagojë vetëm në kuadër të kornizës negociuese. Sfiduese për vendin por edhe në interes të BE-së për momentin, sipas Osmanit, është Ligji për Prokurori Publike. Sipas tij, nevojitet themelimi i institucionit që do të merret vetëm me korrupsionin e nivelit të lartë.

“Ju nuk mund të keni lëndë vetëm për të kaluarën, por duhet të keni institucion që merret edhe me korrupsionin e tanishëm edhe me atë të ardhmin, prandaj na duhet një institucion i veçantë, të kemi edhe një prokurori që do të merret vetëm me këtë çështje dhe prandaj na duhet ligji, jo tanimë për lëndët por për nevojën e etablimit të një institucioni që do të japë rezultate në luftën kundër korrupsionit”,- tha zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.

Shqipëria në BE, Osmani: BE të stimulojë integrimin rajonal

Osmani distancohet nga debati për rrugëtim të përbashkët europian ose jo me Shqipërinë. Thotë se BE duhet të inkurajojë integrimin rajonal.

“Ne nuk duhet as ta ndihmojmë debatin për shkëputje, se debati për shkëputje mund të na kushtojë në çmim për shkak se do të përplasen konceptet e ndryshme, një grup i vendeve anëtare që thonë duhet të shkëputen, një grup i vendeve anëtare që thonë nuk duhet të shkëputen dhe ne pastaj të jemi pasojë kolaterale e përplasjes së atyre dy koncepteve”,- tha zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.

Sipas Osmanit, vendi duhet të fokusohet në ndërtimin e institucioneve të cilat në vazhdimësi, pavarësisht partive politike, do të instalojnë shtetin ligjor dhe vlerat europiane.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Tetor 9, 2019 19:30

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR
Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA