Vendkalime të reja kufitare RMV – Greqi, pr.ligji kaloi në Komisionin e jashtëm në Kuvendin grek

Vendkalime të reja kufitare RMV – Greqi, pr.ligji kaloi në Komisionin e jashtëm në Kuvendin grek

Hapja e vendkalimeve të reja kufitare në Majden dhe Markova Noga në rajonin e Prespës, midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, kaloi filtrin e parë në Parlamentin grek.

Komisioni për Siguri Kombëtare dhe Politikë të Jashtme mbështeti propozim ligjet, ku njëherësh propozohet që të hapet zyrë në nivel ambasade në Shkup dhe zyrë konsulare për çështje ekonomike dhe të tregtisë në Manastir.

Debati dyorësh kaloi me kundërshtime nga partia opozitare Demokracia e Re. Deputeti, Jorgos Kumucakos, u arsyetua se ai dhe partia e tij nuk duan të bëhen pjesë e lojërave të qeverisë në prag të zgjedhjeve parlamentare europiane.

“Qeveria, për qëllime të brendshme, 10 ditë para zgjedhjeve dëshiron të miratojë ligjet që u dakorduan në Shkup me nënshkrimin e marrëveshjeve. I miratoni këto ligje duke menduar se do të na robëroni”,- u shpreh Kumucakos.

Për ministren alternative për punë të jashtme, Sia Anagnostopulu, ligjet nuk vijnë para zgjedhjeve, por me kërkesë të banorëve lokalë të vendeve ku do të hapen vendkalimet.

“Nëse me të vërtetë duam miqësi, bashkëpunim, përforcim të vendit tonë, atëherë duhet të veprojmë në frymën europiane. Do të duhet të përshëndesin këto dy ratifikime, të cilat nuk erdhën para zgjedhjeve, por erdhën tani, ndërkaq do të duhej të vinin më herët. Ne kishim trysni të mëdha nga banorët lokalë për hapjen sa më të shpejtë të vendkalimeve”,- u shpreh ministrja Anagnostopulu.

Propozim ligjet pritet të ratifikohen të mërkurën pasdite në seancë plenare. Përpos Demokracisë së Re, kundër pritet të votojnë edhe deputetët e Agimit të Artë, ndërkaq Aleanca Demokratike pritet të jetë e përmbajtur.

Për çështjet juridiko-teknike në hapjen e vendkalimeve do të angazhohet komision i ekspertëve nga dy vendet me nga 9 përfaqësues. Takimi i tyre i parë pritet të ndodh brenda tre muajve pas fuqizimit të marrëveshjes. (TVM2)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Maj 14, 2019 19:21
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.