Veseli: Si kryeministër do të luftoj korrupsionin dhe nepotizmin

Veseli: Si kryeministër do të luftoj korrupsionin dhe nepotizmin

“Si kryeministër do të luftoj korrupsionin dhe nepotizmin që të sigurohen mundësi të reja në mënyrë që ata ta ndërtojnë të ardhmen brenda vendit, ka thënë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Ai përmes një postimi në Facebook ka treguar se ka folur në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për fushën e ndërmarrësisë që u mbajt në Bibliotekën Kombëtare.

Postimi i plotë:

Në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për fushën e ndërmarrësisë që u mbajt në Bibliotekën Kombëtare, të rinjve të pranishëm iu rrëfeva për një ngjarje timen të tre dekadave më parë. Më 23 janar 1990, në të njëjtin vend ku u mbajt kjo ceremoni dhe kur unë kisha një moshë të ngjashme me ata, së bashku me Presidentin Thaçi organizuam një protestë studentore si reagim ndaj vrasjes së Nuredin Nuredinit nga Haraçina e Shkupit.

Kjo protestë ndezi demonstrata të tjera masive që u shpërndanë si ortek në gjithë Kosovën dhe frymëzoi dhjetëra e mijëra shqiptarë që shpërthyen në revoltë kundër regjimit jugosllav. Ato tërhoqën vëmendjen ndërkombëtare dhe përshpejtuan fundin e Lidhjes Komuniste Jugosllave e cila po mbante kongresin 14-të në të njëjtën periudhë.

Fatmirësisht ato kohëra i kemi lënë pas dhe sot gëzojmë lirinë dhe pavarësinë dhe lufta e sotshme nuk është kundër okupatorit, por kundër korrupsionit dhe papunësisë. Prandaj iu premtova të rinjve se si kryeministër do të luftoj korrupsionin dhe nepotizmin që të sigurohen mundësi të reja në mënyrë që ata ta ndërtojnë të ardhmen brenda vendit.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Gusht 13, 2019 21:30

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.