Vetëvendosje: Zaev i informuar për planet e ndarjes së Kosovës

Vetëvendosje: Zaev i informuar për planet e ndarjes së Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar dorëheqjen e presidentit, Hashim Thaçi, dhe shkuarjen e Kosovës në zgjedhje të parakohshme, pas publikimit të bisedave të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, me komedianët rusë, për gjendjen në Kosovë dhe për planet për ndryshim kufijsh. Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, tha se aleatët e Kosovës kanë shprehur shqetësimin për ndikimin rus në Ballkan.

“Zaev shpreh shqetësimin e drejtpërdrejtë se presidenti i Kosovës përmes planit për copëtimin e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve po vepron sipas skenarit të Moskës. Paramendoni kryeministri i RVM-së shprehet i shqetësuar për Kosovën. Kryeministri Zaev shprehet i mirëinformuar për planet për ndarjen e Kosovës”,- theksoi Rexhep Selimi nga Vetëvendosje.

Bumçi: Rama përkrahu projektin serbo-rus

Pas asaj që u dëgjua në bisedën e kryeministrit Zaev, ka reaguar edhe Partia Demokratike e Shqipërisë, e cila e ka kritikuar kryeministrin Rama, se ka mbështetur projektin serb dhe rus për ndarjen e Kosovës.

“Ndryshe nga çka është përpjekur të thotë Edi Rama, në fakt ky është një projekt serb që i shërben interesave ruse dhe serbe dhe jo një projekt perëndimor dhe amerikan. Ky është një projekt që u shërben qarqeve të caktuara që janë të interesuara për çfarëdo skenari ogurzi, duke cenuar rëndë interesat e Kosovës”,- theksoi Aldo Bumçi nga PD.

Përveç kryeministrit Zaev, pre e komediatëve rusë, Aleksei Stoljarov dhe Vladimir Kuznetsov, ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke siguruar numrin e telefonit nga kryeministri Zaev. Haradinaj pati bërë të ditur se e përkrah “mikun e tij”, Petro Poroshenkon, për zgjedhjet presidenciale në Ukrainë dhe se kryeministrit të ardhshëm, Vovan Lexusov, i dëshiron të gjitha të mirat dhe fitore për ta udhëhequr Ukrainën. Realisht, emri i kryeministrit “Vovan Lexusov” është një emër i rremë, respektivisht është kombinim i emrave të dy komedianëve, Vovan dhe Lexus.

“E uroj popullin ukrainas për zgjedhje të lira dhe demokratike. Mikun tim, Poroshenko, dhe kryeministrin e ardhshëm, Vovan Lexusov, ua dëshiroj të gjitha të mirat dhe fitore për ta udhëhequr Ukrainën drejt integrimeve euroatlantike. Kosova dhe Ukraina qëndrojnë së bashku si popuj të lirisë dhe prosperitetit”,- ka shkruar Haradinaj në twiter.

Të parit të Qeverisë së Kosovës iu ishte premtuar edhe se Kosova do të njihet nga Ukraina, nëse Poroshenko fiton zgjedhjet presidenciale. Komedianët e kishin konfirmuar se kanë biseduar me Haradinajn në një prononcim për Agjencinë ruse të lajmeve Ria Novosti, derisa kishin thënë se një gjë e tillë kishte ndodhur tre herë.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Korrik 10, 2019 20:02
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.