Vip Arena “Boris Trajkovski” në Shkup, është hapur Panairi Ndërkombëtar i Librit

Vip Arena “Boris Trajkovski” në Shkup, është hapur Panairi Ndërkombëtar i Librit

Rreth 70 shtëpi botuese, prej 8 majit kanë hapur stendat e tyre në kuadër të panairit të librit në Shkup, ku vizitorët mund të gjejnë libra shkencorë, profesionalë, enciklopedi, letërsi për fëmijë e të tjera.

Gjatë panairit do të ketë edhe rreth 30 promovime librash. Krahas shtëpive botuese nga vendi, në panair po marrin pjesë edhe shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Danimarka dhe nga Hungaria. Shtëpitë botuese pjesëmarrëse në panair dolën me vlerësime të ndryshme sa i përket interesimit të lexuesve.

“Interesimi është goxha i mirë në krahasim me atë se njerëzit janë informuar me vonesë për panairin. Çmimet janë shumë të ulëta, i kemi ulur që të jemi sa më afër lexuesit. Në përgjithësi kemi autorë shqiptarë, por edhe autorë të huaj”,- tha Shyrete Arjrullai nga Sh. B. “Albas”.

“Sivjet në vitin 2019, interesimi i lexuesve është goxha i dobët, por shpresojmë se do të përmirësohet me kalimin e kohës. Çmimet janë shumë reale, janë praktike për çdo qytetar, fillojmë prej 100 maksimum 200 denarë. Më tepër kemi filozofi, kulturë, shkencë, disa pjesë edhe fetare”,- thuhet nga Gnosa.

Vizitorët e panairit ishin të grupmoshave të ndryshme. Ata thonë se e vizitojnë shumë herë panairin.

“Çdo panair e vizitoj pa marrë parasysh a kam apo nuk kam kohë. Gjithmonë stendat ku janë librat e gjuhës dhe letërsisë shqipe. T’ju them të drejtën, Ismail Kadare më pëlqen, por edhe Petro Marko, i cili më ka lënë mbresë që kur kam qenë si gjimnazist”,- tha një lexues.

“I vizitoj ndonjëherë autori që më pëlqen është Ismail Kadare, më pëlqejnë romanet historikë dhe më shumë ato për moshën tonë”,- theksoi një lexues.

“Kur ka panaire afër shkollës, i vizitoj, që të gjej ndonjë libër të dobishëm. I pëlqej librat për atdheun, për fe, këto më bëjnë përshtypje. Çmimet janë reale këto më bëjnë përshtypje”,- tha një lexues.

Panairi i 31 ndërkombëtar i librit në VIP Arena “Boris Trajkovski” në Shkup do të zgjasë deri më 14 maj, prej orës 10 deri në orën 20.

Biletat për hyrje në panair kushtojnë vetëm 30 denarë, gjegjësisht 20 denarë për vizita grupore.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 10 Maj, 2019 19:09

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.