Viti 1998, tmerri dhe vuajtjet që shpejtë u harruan: Kosova në flakë!

Viti 1998, tmerri dhe vuajtjet që shpejtë u harruan: Kosova në flakë!

Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1998?

Fillimi i vitit 1998 nisi me masakra të tmerrshme në Drenicë. Gjatë luftimeve të 28 shkurtit 1998, në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe forcave serbe, pasi mbetën disa policë të vrarë, pasoi hakmarrja serbe në Likoshan e Qirez ku u vranë dhe masakruan 24 civilë shqiptarë. Ndërkaq, në orët e hershme të mëngjesit të 5 mars 1998, në Prekaz u sulmua sërish familja Jashari. Pas rezistencës disaditore, vëllezërit Adem dhe Hamëz Jashari vriten me 18 anëtarë të tjerë të familjes së ngushtë. Numri i përgjithshëm i të vrarëve nga familja e gjerë shkonte në 56.

Këto ngjarje shënuan kthesën në politikën amerikane kundrejt Kosovës. I deleguari amerikan, Robert Gelbard – i cili më herët kishte nxitur shqiptarët në luftë duke thënë “a po e prisni Supermenin”, ndërsa më vonë nxiti serbët për sulme kur pjesëtarët e UÇK-së i quajti terroristë – do t’i marrë pamjet nga këto masakra dhe do t’ia hedhë Sllobodan Millosheviqit në tavolinë, duke i thënë me tone të ashpra: “Ja çfarë ke bërë”! Emri i Gelbardit do të zhduket shpejt nga rrjedhat në Kosovë, meqë SHBA-ja emëron Christopher Hillin (ambasadorin e tyre në Shkup) si përfaqësues special për Kosovën, në misionin që Henry Kissinger e quante më herët “Shuttle-Diplomacy”.

Prekazi pas luftimeve të marsit 1998

Viti 1998 është viti kur lufta përhapet në tërë Kosovën. Sulmi i radhës, më 24 mars, ndodhi në Gllogjan. Aktori Sylë Kuçi që përkthente për mediat e huaj, do ta përshkruante “rastësisht” situatën që mbizotëronte në terren. Ai e shoqëronte reporterin Lorent Boussie – i cili ishte i interesuar të vizitonte Manastirin e Deçanit, përkitazi me temën “Bashkëjetesa e manastirit ortodoks (serb) dhe e popullatës shqiptare përreth” – kur papritmas u gjend në zonë lufte.

“Me të arritur në Prelep, dëgjoheshin krismat. Në sheshin e fshatit Irzniq u ndalëm. Meqenëse vetura jonë mbante targa me ‘BG’, fshatarët iknin prej nesh si prej djallit… Dikush na urdhëronte të ndalonim e dikush të afroheshim. Dukej se edhe koha ndaloi. Shikonim vetëm grykat e armëve dhe pritnim kur do të villnin zjarr. Njëri që si dukej ishte epror, u bërtiti: ‘Ne pucajte, imaju beogradsku registrciju!’ (Mos gjuani, kanë regjistrim të Beogradit!). Nga dritarja e djathtë xhiruesi nxori kamerën dhe thirri ‘Francuska televizija, fran…’! ‘Ah, nënën tuaj! Vetëm edhe ju na duheshit” – shfryu njeriu. Na mësynë si bisha. Na nxorën jashtë dhe na mbështetën për veture. Kush mëshonte me grykë e kush me qytë pushke. Më së keqi e pësoi ‘tonisti’. Dikur na i kërkuan dokumentet. Kur morën vesh emrin tim, u tërbuan krejt… ‘Po ti, çka lyp këtu…?’ U thashë se jam përkthyes dhe se për këtë e kam lejen. ‘Jo, jo!’ – thanë – “Je terrorist. Je porositur t’i sjellësh këta këtu…’!

Më vonë Kuçi dhe gazetarët u liruan, me këtë paralajmërim: “Nëse vetëm një fjalë e asaj çka të thashë do të publikohet, të premtoj se do të të zhduk me soj e sorollop! Kuptove?”

Shqiptarët e zënë peng nga forcat serbe

“Jo vetëm unë, por edhe francezët e kishin të qartë. Deshi të më thoshte edhe diçka, por fjalët e tija i mori ushtima e helikopterit, i cili ateroi aty pranë. I sollën tre vigj me policë të përgjakur. Për herë të parë shihja policë serbë të plagosur. Çudi! Jo, jo, ndjenjë e çuditshme. Vallë, edhe këta ‘po i merrka’ plumbi? Si duket po, se erdhi edhe një vig. Afër tij – Vula. ‘Naçellnik’ Vula. Thashë: E pat puna! Kur të më vërejë, do të merret me mua personalisht – ashtu, siç e kishte zakon të ‘merrej’ me bashkëqytetarët e vet shqiptarë. Për fat, u hallakatën. Nga një toki-voki thërrisnin në ndihmë. Thonin se po sulmoheshin me bomba. Pasoi një granatim i gjatë. Tërë lagjja u mbulua me tym. Granatimi ende vazhdonte, kur neve na urdhëruan të largoheshim. Xhiruesi Gerek, më këshilloi të shtrihem në dyshemenë e veturës. Më tha se ka mundësi të të gjuajnë me snajper, e pastaj deklarojnë se e kanë vrarë të vetët”, thuhet në shkrim.

Dhuna ndaj protestuesve në Prishtinë, më 2 mars 1998, gjatë solidarizimit me popullin e Drenicës

Në fakt, serbët janë të prirë të vrasin dhe autorësinë t’ua mveshin të tjerëve. Kështu ndodhi në natën e 14-15 dhjetorit 1998, kur në lokalin “Panda” të Pejës u vranë pesë të rinj serbë. Ndonëse autoritetet e Serbisë të viteve 2010 publikuan të dhënat se ky krim ishte inskenuar nga serbët, më 1998 ata akuzuan shqiptarët për këto vrasje. Dhe, ky krim ishte si pretekst për spastrimin e mëvonshëm etnik të Pejës si dhe për të rekrutuar kriminelët në marshin vrastar kundër shqiptarëve.

Pamjet e rëndomta të Kosovës së vitit 1998: Vrasjet dhe varrezat masive

Luftime kishte edhe në rrethinë të Pejës, Gjakovës dhe Suharekës e madje edhe në periferi të Prishtinës, kur fshati Bardhi i Madh ra nën UÇK-në, siç do të bien Malisheva dhe Rahoveci. Jakup Krasniqi, i cili më 11 qershor u shfaq publikisht si zëdhënës i UÇK-së, do të deklarojë se në Malishevë – si “kryeqytet” provizor i Kosovës – do të jepeshin letërnjoftimet dhe pasaportat e UÇK-së. Përfaqësues politik i UÇK-së atë kohë ishte Adem Demaçi, ndërsa zëvendës i tij Albin Kurti.

Në korrik 1998 u zhvillua Beteja e Loxhës, një nga më të mëdhatë të vitit 1998. Por, në gusht e shtator nisi ofensiva e madhe serbe gjatë së cilës UÇK humbi kontrollin pothuajse në tërë Kosovën. Pas këtyre ofensivave, tokat mbetën shkrumb e hi, me qindra të vrarë e të masakruar. Brenda Kosovës ishin afro 400 mijë civilë të zhvendosur. Vendin po e kaplonte katastrofa humanitare.

Për masakrat e vitit 1998, të cilat tërhoqën vëmendjen e botës, publicisti anglez Tim Judah do të thotë se nuk ishin më ndryshe nga ato që i përshkruante Edith Durham në fillim të shekullit XX. Pra, ishin tmerr që veç Serbia di ta bëjë!

Propaganda e Serbisë: Polici serb tek i ofron ujë plakut shqiptar të mbetur në fshatin që digjet

Gjatë ofensivave, më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme të Drenicës forcat serbe kryen një tjetër masakër të tmerrshme, ku u vranë 23 anëtarë të familjes Deliu e ku fotografia e foshnjës me biberon, Valmirit, trondit tërë botën. Në këtë masakër u vranë tetë fëmijë: Valmiri 18-muajsh, Menduhia 4-vjeçe, Gentiana 5-vjeçe, Donjeta 6-vjeçe, Jetoni 10-vjeç, Antigona 14-vjeçe dhe Mihanja 16-vjeçe (mbi këto të dyja edhe, sipas dëshmive, ishte ushtruar dhunim seksual). Dituria 6-javëshe, që për çudi mbijetoi këtë masakër, vdiq pas ngjarjes.

Sipas disa të dhënave, gjatë periudhës janar 1998-dhjetor 1999, nga të vrarit e të masakruarit në Kosovë, 945 ishin fëmijë: 45 foshnja, 21 ishin 1-vjeçarë, 26 ishin 2-vjeçarë, 24 ishin 3-vjeçarë, 16 ishin 4-vjeçarë, 19 ishin 5-vjeçarë, 23 ishin 6-vjeçarë, 32 ishin 7-vjeçarë, 16 ishin 8-vjeçarë, 28 ishin 9-vjeçarë, 34 ishin 10-vjeçarë, 38 ishin 11-vjeçarë, 43 ishin 12-vjeçarë, 49 ishin 13-vjeçarë, 63 ishin 14-vjeçarë, 68 ishin 15-vjeçarë, 93 ishin 16-vjeçarë, 163 ishin 17-vjeçarë dhe 144 ishin 18-vjeçarë.

Fëmijët shqiptarë, duke mbijetuar nën qiell të hapur, më 1998

Më 1998 Tribunali Ndërkombëtar për Krimet në Ruandë dënoi majorin Jean Paul Akayesu për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Për herë të parë gjyqi ndërkombëtar i cilësoi dhunimet si akt gjenocidi, me qëllim shkatërrimi të një grupi të caktuar. Më 1998 u dhanë dëshmitë e para për dhunimet e vajzave shqiptare nga forcat ushtarake, paramilitare e policore serbe. Por, ky realitet i hidhur kalonte që atëherë në heshtje.

P.sh. në Vraniq, ndonëse kishte dëshmi se në shtator të vitit 1998 forcat serbe kanë dhunuar një grup femrash, ato kanë refuzuar të përgjigjen. “Dukuria e dhunimit duket se ka përmasa më të mëdha se sa ishim të informuar. Kemi mjaft indikacione dhe shumë pak ose aspak dëshmues për dukurinë e dhunimit të femrave. Kuptohet mjedisi i jonë shumë rëndë e përjeton këtë fenomen që vërtet është i rëndë… Mendoj se askush nuk ka pse të ngurrojë për ta treguar të vërtetën, sepse më e rëndë është zhdukja e së vërtetës, se dëshmimi i saj”, ka thënë Pajazit Nushi, kryetar i KMDLNJ-së, më 1999.

Fatkeqësisht, shqiptarët gjatë kësaj periudhe nuk punuan sa duhet në mbledhjen e dëshmive për krimet serbe. Në plot raste ka ndodhur që organizatat vendore për mbrojtje të të drejtave të njeriut të informohen nga Human Rights Watch dhe gjatë përkthimit të bëjnë gabime. P.sh. paragrafi nga serbishtja për vrasjen e Valmir Deliut, “ubili su Valmira” (e vranë Valmirin), është përkthyer se u vra një vajzë me emrin Valmira (siç e kanë lexuar)!

Nënat dhe motrat vajtojnë më të dashurit e tyre

Ndërkohë, Partia Socialiste e Serbisë, e Sllobodan Millosheviqi, miraton një dokument më 14 dhjetor 1998, që kishte të bënte me kolonizimin e Kosovës me refugjatë nga Kroacia dhe nga Bosnja e Hercegovina. “Ka mundësi reale që atyre t’iu ndahet tokë pune, pasi që kemi vërtetuar se në Kosovë ka mbi 44,529 hektarë tokë e cila mund të ndahet për kolonët serbë dhe malazezë”, thuhet në dokument, ku insistohej të bëhej një regjistrim që do të ulte shumë numrin e shqiptarëve. “Bartësit e veprimtarisë separatiste në Kosovë gjithnjë ishin emigrantët nga Shqipëria. Për këtë shkak është e domosdoshme që me regjistrimin e popullatës dhe në mënyra të ndryshme të vërtetohet numri i tyre (emigrantëve – v. j.) dhe që shteti të marrë qëndrim ligjor ndaj tyre. Llogaritet se numri i emigrantëve nga Shqipëria është mbi 400 mijë”.

Ratomir Taniq, anëtar i delegacionit serb në negociatat me shqiptarët e Kosovës, ka pranuar më vonë se kishin plan për pastrimin etnik të Kosovës. Në fakt, gazeta londineze “Times”, më 8 prill 1999 lidhur me planin në fjalë raportonte si vijon: “Qysh në vjeshtë të vitit 1998 CIA kishte informacione për planin me emrin e koduar ‘Operacioni Patkoi’, me synim që për disa muaj të vriste ose të dëbonte shqiptarët.

Fëmijët e mbetur pa shtëpi…

Fatkeqësisht, në kohën e luftimeve të mëdha me forcat serbe, më 21 shtator në Tiranë do të vritej luftëtari dhe koloneli Ahmet Krasniqi, që ishte ministër i Mbrojtjes i Kosovës. Kjo vrasje e rëndë dhe e pasqaruar deri në ditët e sotme, do të dëmtonte atë që njihet sot si Marrëveshja e Oslos e 21-23 majit të vitit 1998, për bashkërendimin dhe unifikimin e UÇK-së me Forcat e Armatosura të Kosovës (FARK).

“Edhe në Kosovë, në vitet e luftës (1998, 1999) politikanët tanë nuk arritën të mundnin egoizmin e tyre dhe të kuptonin që vetëm së bashku mund t’u përballojnë sfidave të luftës. Po të mos ishin ndërmjetësit amerikanë, politikanët tanë kurrë nuk do të bëheshin së bashku për të shkuar në Konferencën e Rambouilletit”, ka thënë Blerim Shala në një shkrim të tij.

Prandaj, qershori 1998 do të shënonte involvimin e madh amerikan në Kosovë për shpëtimin e shqiptarëve edhe nga vetvetja. Për këtë detyrë u angazhua “Buldozeri” Richard Holbrooke, i cili Kijevën do ta cilësojë si “vendin më të rrezikshëm në Evropë”. Po këtë muaj, më datë 24, ai do të takonte pjesëtarët e UÇK-së, nga ku mbetet i paharruar momenti kur në një odë të Junikut zbathi këpucët kur u fut brenda, e pranë tij me çizme dhe armë rrinte Lum Haxhiu (Hajdin Abazi). Kjo ishte hera e parë që amerikanët pranun UÇK-në si palë në procesin e çështjes së Kosovës. Dhe, ky veprim ishte reagim ndaj hezitimit të Beogradit për të gjetur zgjidhje paqësore dhe për të garantuar të drejtat e shqiptarëve në Kosovë.

Holbrooke në Junik

Para këtij takimi, Holbrooke ishte ai që kërkoi nga lideri politik i shqiptarëve, Ibrahim Rugova, të takojë presidentin e Serbisë, Sllobodan Millosheviq. Ky takim i mbështetur nga amerikanët, do të pasohej me takimin mes presidenti amerikan Bill Clinton dhe Rugovës, në Zyrën Ovale, më 27 maj në Uashington. Në takim me Millosheviqin të pranishëm ishin edhe Fehmi Agani, Mahmut Bakalli dhe Veton Surroi. Takimi në Beograd ishte më shumë dëshmi se shqiptarët janë për zgjidhje paqësore. Ndërsa, dobia ishte vizita në SHBA, ku Bill Clinton i premtoi delegacionit të shqiptarëve të prirë nga Rugova, se “Amerika nuk do të lejojë që në Kosovë të përsëritet Bosnja”. Ky premtim ishte konfirmim i “Vijës së kuqe” që ishte tërhequr për Kosovën nga presidenti George Bush në dhjetor të vitit 1992, e që njihet si “Kërcënimi i Kërshëndellave”, përmes të cilit Serbia paralajmërohej për pasojat nëse nis luftë në Kosovë. Kjo konfirmohet edhe nga kjo e dhënë: më 15 shtator 1998, kur Clinton pyeti gjeneralin Wesley Clark nëse “do të jetë gati të përkujdeset për kosovarët, apo jo…”, Clark ia kishte kthyer: “Po zotëri…”!

Takimi Rugova-Clinton në Uashington

Pra, gjërat nisin të ndryshojnë në favor të Kosovës. Përderisa më 2 maj 1998, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s deklarohen për zgjidhje paqësore të problemeve në Kosovë. Më 12 qershor të po të njëjtit vit, ministrat e Mbrojtjes të NATO-s bëjnë me dije se varësisht nga rrjedhat e mëtejme të ngjarjeve, NATO-ja mund të ndërmarrë masa konkrete, përfshirë edhe intervenimin ushtarak.

Një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës ishte ministri i Jashtëm britanik, Robin, Cook, i cili në emër të Grupit të Kontaktit (që u mblodh pas masakrës ndaj Jasharajve) pati bërë përpjekjen e parë, në mars të vitit 1998, të iniciojë procesin e ndërmjetësimit ndërkombëtar. Ndërsa, kryeministri i tij, Tony Blair, ishte një nga nxitësit më të mëdhenj të intervenimit ushtarak të NATO-s. “E kujtoj sot takimin me Rugovën në ‘Downing Street’. Me vete kishte një gur të çmuar që ma dhuroi dhe të njëjtin e mbaj edhe sot. Më foli shumë për Kosovën, nuk bërtiste ishte shumë i urtë dhe më foli me sinqeritetin më të madh. Më luti dhe më tha: ‘Mos lejo që njerëzit e mi të vuajnë në Kosovë’. Unë i premtova se do ta ndihmoj”, ka thënë Blair gjatë vizitës së tij në Prishtinë, më 2010.

Tony Blair dhe Robin Cook

Por, të gjitha këto paralajmërime hasën në veshin e shurdhër të regjimit serb. Prandaj, ndodhi ultimatumi i 13 tetorit dhe e ashtuquajtura marrëveshje Holbrooke-Milosheviq, e më vonë edhe Rezoluta 1199 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Me këtë rast, gjenerali Clark ia dorëzoi Milosheviqit memorandumin, në të cilin vihej para zgjedhjes: të ndalonte represionin në Kosovë dhe të lejonte hyrjen e vëzhguesve ndërkombëtarë ose të llogariste në sulmet ajrore të NATO-s. Sipas marrëveshjes, lufta duhej të ndalej. Njëkohësisht kërkohej që forcat e NATO-s të bënin edhe kontrollin ajror të zonës. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, serbëve u lejohej të mbanin pikat ushtarake në Pejë, Prizren, Gjilan, Prishtinë, Mitrovicë e Ferizaj dhe atë numër forcash që ishin të pranishme përpara shkurtit 1998. Në këtë mënyrë, numri i militarëve që do të lejoheshin në Kosovë, arrinte shifrën e 10 mijë trupave të ushtrisë federale dhe 15 mijë të policisë. Në atë kohë, në Kosovë gjendeshin 40 mijë forca ushtarake dhe paramilitare, duke përfshirë edhe trupat e Arkanit. Pos kësaj, në bazë të Rezolutës 1199, precizohej edhe çështja e të gjithë njerëzve në arrest, në cilësinë e pengjeve të luftës. Sipas këtyre dokumenteve, ata do të duhej të liroheshin pa kusht – pos atyre që akuzoheshin për krime lufte, për të cilat kompetent do të ishte Tribunali i Hagës.

Wesley Clark dhe Richard Holbrooke

Kjo marrëveshje i dha kohë UÇK-së, së dobësuar nga ofensivat e mëparshme, të rigrupohej e të riorganizohej me formimin e brigadave dhe zgjerimin e rezistencës edhe në rajonin e Podujevës, edhe për faktin se trupat serbe nuk u tërhoqën nga Kosova, por vetëm se u spostuan nga një zonë në tjetrën. Dëshmi për këtë është vrasja në pritë – më 2 dhjetor në Prishtinë – e Hyzri Tallës, Afrim Maliqit e Ilir Durmishit. Prandaj, luftimet shpejt rinisën, për të kulmuar në dhjetor.

Mirëpo, këtë herë e vërteta nuk mund të fshihej, sepse sipas marrëveshjes së 13 tetorit, Serbia pranoi formimin e Misionit Verifikues të Kosovës, sipas Rezolutës 1203 të KS të OKB-së, si një mision i OSBE-së që do të keishte 1800 vëzhgues të huaj, në krye të të cilëve ishte William Walker – amerikani që do ta thotë të vërtetën dhe do ta akuzojë Serbinë për krime kundër njerëzimit.

William Walker inspekton pozicionet e forcave serbe në Podujevë

Viti 1998 ishte vit i atentateve. Më 6 shkurt 1998, në Francë, nga dy persona të armatosur vritet Claude Erignac, prefekti i Korsikës; më 12 shtator, në Tiranë vritet një nga themeluesit dhe deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Azem Hajdari; më 19 nëntor, në Shën Petersburg të Rusisë vritet deputetja e dhomës së ulët të Parlamentit rus, Galina Starovoitova; më 10 nëntor 1998, në Jerevan të Armenisë vritet zëvendësministri i Mbrojtjes, Vagram Khorkhoruni. Po këtë vit, një boshnjak i Konjiqit i quajtur Muamer Topalloviq, thotë se kishte planifikuar të bënte atentat ndaj Millosheviqit. Por, plani i tij shpejt dështoi për shkak të gjaknxehtësisë.

“Në rrethinën e Shabacit mora një taksi (tetor). Taksisti mendonte se jam serb i Bosnjës dhe filloi të lavdërohej për numrin e myslimanëve që kishte vrarë në Sarajevë. Më nxori jashtë taktit. Në fund të rrugës i thashë se nuk do të të paguaj, nxora pushkën nga çanta dhe iu kërcënova se do ta vras. Ai kishte shkuar drejt e në polici dhe më kishte lajmëruar”, do të thotë ai më vonë. “Shumë shpejt më rrethoi policia, më arrestoi dhe më dërgoi në stacionin policor. Atje më morën në pyetje plot 24 orë dhe vazhdimisht më rrahën. Nuk u tregova se jam nisur për të vrarë Milosheviqin, por u thashë se jam nisur për në Kosovë. Nuk më besonin. Më rrihnin me shkopinj gome, me duar, me këmbë… Më futën në burg si një kriminel”.

Se serbët nuk i respektojnë marrëveshjet ndërkombëtare, tregon edhe ky boshnjak që 35 muaj ka vuajtur në burgjet serbe e që në dëshminë e tij ka thënë se në Burgun e Mitrovicës së Sremit ishin 400 shqiptarë të cilit nuk kishin as shtrat për të fjetur.

Muamer Topalloviqi, sërish në gjykatore, për vrasje të tre anëtarëve të familjes serbe Angjeliq në Konjiq, në natën e Krishtlindjeve të vitit 2002

Shqipëria më 1998 nisi të kaptohej nga kriza e refugjatëve nga Kosova, por edhe nga problemet e brendshme politike dhe ekonomike që kishin tronditur vendin një vit më parë. Kryetar i shtetit ishte Rexhep Meidani, ndërkaq më 2 tetor, Pandeli Majko do të bëhej kryeministër.

Më 1998 vdes këngëtari Falco, aktori Lloyd Bridges, pediatri Benjamin Spock me librin e të cilit “Foshnja dhe përkujdesja për fëmijën” u rrit gjenerata e hipikëve, psikopati Pol Pot i Kamboxhias, që vrau deri në tre milionë banorë të shtetit që udhëhiqte, nobelisti Octavio Paz, aktori Frank Sinatra dhe regjisori Akira Kurosawa. Ndërsa, filmi “Titanic” është i pari film në botë që do të fitonte një miliard dollarë. /Telegrafi/

Benjamin Spock ka thënë: Si aktivist i paqes, tronditem nga agresiviteti dhe dhuna që nxitet nga televizionet, filmat dhe lodrat e luftës!

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Janar 4, 2019 12:59
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.