Vjet kanë ikur jashtë 230 milionë euro

Vjet kanë ikur jashtë 230 milionë euro

Kompanitë e huaja që punojnë në Maqedoni vitin e kaluar – në emër të fitimeve apo dividendës, kanë nxjerrë jashtë shtetit afër 230 milionë euro.

Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Maqedonisë, vetëm në muajin qershor kanë tërhequr “në shtëpi”, afër 104 milionë euro si rrjedhojë e vendimeve të Kuvendit të shoqatave aksionare. Nga BPRM nuk shpjegojnë se nga cilat firma ka rrjedhur derdhja e kapitalit që krijohet në Maqedoni.

Gjithashtu, sipas të dhënave të BPRM-së, shuma e përgjithshme e neto investimeve të huaja direkte për vitin e kaluar është 229 milionë euro, që si vlerë – është e barabartë me të hollat që kanë ikur nga Maqedonia jashtë saj. Kjo me fjalë të tjera nënkupton se aq të holla sa kanë ardhur në emër të investimeve të huaja, po aq të holla edhe janë derdhur jashtë shtetit nga ana e investitorëve të huaj.

Vlerësohet se paqartësia politike që ka dominuar skenën vendore politike vitin e kaluar, po e merr haraçin e saj. Afaristët thonë se kapitali është si lepuri, andaj kur ai e nuhat pasigurinë – edhe ik nga problemet dhe paqartësitë. Ekonomistët thonë se vendimet për ndarjen e dividendës janë e drejtë e aksionarëve që mund të vendosin të investojnë mjetet në Maqedoni, apo edhe të nxjerrin jashtë kapitalin. Megjithatë, sugjerohet që në të ardhmen – të mendohet në drejtim që me pako të caktuara ekonomike apo financiare, të stimulohen investitorët e huaj që së paku një pjesë të fitimit apo dividendës sërish ta investojnë në Maqedoni.

Ekspertët ekonomik thonë se derdhja e kapitalit në parim është puna e vetë kompanive që në bazë të planeve të saja investuese, vendos se si do të sillet me mjetet e saja materiale. Në fakt, kapitali që derdhet jashtë janë të hollat e kompanive të huaja që punojnë në Maqedoni, që si kapital ose investohet sërish në kompanitë amë, ose ju ndahen aksionarëve si fitim vjetor apo dividendë.

“Ne si shtet nuk mund të ndikojmë në vendimet e tyre. Gjithashtu, duhet parasysh se kompanitë nuk mendojnë lokalisht, por veprojnë dhe mendojnë në suaza globale dhe në këtë drejtim rrjedhin edhe lëvizjet e tyre. Mund të ndodhë që menaxhmenti i kompanisë të vendosë që të hollat që si fitim realizohen në Maqedoni, të investohen në shtete të tjera ku realizohet fitim më i madh, apo ajo që kompanisë i nevojitet financimi i një veprimtarie tjetër që në atë moment ka rëndësi strategjike për pronarët e kompanisë”, thonë njohësit e rrjedhave financiare në Maqedoni.

Sipas tyre, kohët e fundit duhet marrë parasysh edhe faktin se kapitali i huaj i nënshtrohet edhe mobilitetit apo lëvizjes së madhe.

Gjithashtu, vlerësohet se investimet e huaja direkte duhet të shqyrtohen në aspekt jo vetëm të derdhjes së tij jashtë shtetit, por edhe ardhjes së kapitalit të huaj në Maqedoni. Me fjalë të tjera, saldoja e prurjeve dhe derdhjeve të kapitalit të huaj tregon edhe interesimin e të huajve për të investuar në ekonominë vendore. Sipas të dhënave të BPRM-së, shuma e përgjithshme e neto investimeve të huaja direkte për vitin e kaluar është 229 milionë euro që është për disa herë më pak se shtetet fqinje. Në këtë periudhë, edhe problemet e brendshme politike, por edhe konkurrenca madhe e shteteve fqinje në tërheqjen e investitorëve të huaj, kanë ndikuar edhe në vendimet për investime si të investitorëve aktual, ashtu edhe të atyre që planifikojnë të investojnë në Maqedoni. (koha.mk)

Flaka Redaksia
nga Flaka Redaksia Prill 13, 2018 20:05

PUBLICI8

Sondazhi

Vlerësimi juaj për vitin 2018 ?
Maqedoni
-2°
-4°
Tue
-3°
Wed
-1°
Thu

ARKIVI I LAJMEVE