VV fton edhe opozitën në dialog, AAK-ja përgjigjet pozitivisht

VV fton edhe opozitën në dialog, AAK-ja përgjigjet pozitivisht

Ka kaluar më shumë se një vit prej kur janë pezulluar bisedimet Kosovë-Serbi, e tash kur pritet që të formohet qeveria e re, kërkohet që të ketë një përfshirje të të gjitha partive në procesin e dialogut.

Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti, ka deklaruar se dialogun do ta udhëheqë ai, ndërsa, ka thënë se do t’i ftojë të jenë pjesë e delegacionit edhe partitë opozitare.

Ramush Haradinaj, kryeministër në detyrë dhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për KosovaPress deklaron se edhe pse do të jenë në opozitë do të përkrahin qeverinë e re në çdo temë të interesit nacional.

“Jemi të interesuar me e përkrahë në çdo temë të interesit nacional, pra nuk marrim pozicion dëmtues për Kosovën.

Nëse ne e vlerësojmë jo me e përkrahë pozitën, po nëse ne e vlerësojmë se e përkrahim Kosovën do të përkrahim çdo temë. Unë e kam bërë një listë të temave në emër të Aleancës, në të cilat nëse qeveria e ardhshme, institucionet e ardhshme, ne nuk po e dimë realisht si do të shkojë formimi i qeverisë dhe institucioneve se po i shohim disa vështirësi, por sido që të jetë ne në tema të interesit nacional nuk e pengojmë qeverinë e vendit”, thotë ai.

I pyetur se a është AAK-ja e gatshme të bashkëpunojë me qeverinë dhe të jetë pjesë e delegacionit shtetëror për bisedimet, Haradinaj i tha KosovaPress-it se e përkrahin vendin dhe se në tema të interesit nacional duhet të jenë të gjithë bashkë.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, parti të cilat do të jenë në opozitë nuk i janë përgjigjur pyetjes se a do të pranojnë të jenë pjesë e delegacionit për bisedimet me shtetin serb.

Konsensus dhe përfshirje të të gjitha partive politike në procesin e dialogut po kërkon shoqëria civile dhe analistët politikë.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se vazhdimisht kanë kërkuar që spektri politik të ndërtojë një konsensus sa më të gjerë rreth çështjes së dialogut Kosovë-Serbi.

Ajo thotë për KosovaPress se kanë kërkuar që Kosova të ketë një qëndrim unik të saj, i cili është i mbështetur nga të gjitha institucionet e vendit.

Krasniqi shton se partitë politike në vend duhet të bëhen bashkë në procesin e dialogut. Kjo sipas saj, do të ndikonte edhe në pozitën e Kosovës në këto negociata.

Se duhet të ketë gjithëpërfshirje në procesin e dialogut e thotë për KosovaPress edhe politologu Ramush Tahiri, sipas së cilit, dialogu me shtetin serb është çështje kombëtare dhe duhet të përfshihen të gjithë.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi është ndërprerë në nëntor të vitit 2018, kur Kosova ka vendosur taksë 100 përqind për produktet që importohen nga Serbia.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Dhjetor 2, 2019 22:15

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA