Zaev – Markoviq: RMV dhe Mali i Zi, marrëdhënie të shkëlqyera

Zaev – Markoviq: RMV dhe Mali i Zi, marrëdhënie të shkëlqyera

Mali i Zi mbështet Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj euroatlantike dhe është e gatshme që t’i vë në dispozicion njohuritë dhe përvojën e saj për t’i lehtësuar Maqedonisë së Veriut procesin.

Kështu deklaroi kryeministri malazez, Dushko Markoviq, pas mbledhjes së parë të përbashkët të qeverisë së Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut që u mbajt në Podgoricë. Dy kryeministrat konstatuan se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe nuk ka çështje të hapura midis tyre.

“Mali i Zi angazhohet dhe shpreson se Maqedonia e Veriut së shpejti do t’i fillojë negociatat me BE-në dhe jemi të gatshëm që t’i përcjellim njohuritë dhe përvojën tonë siç e bëjmë të njëjtën në sferën e eurointegrimeve. Kur është çështja e pranimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, Mali i Zi është i gatshëm që të ndihmojë në çdo fazë që tua lehtësojë këtë proces miqve maqedonas dhe ta presë si anëtaren e 30 të Aleancës”,- tha kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Pas 14 viteve dhe 10 rekomandimeve pozitive nga Komisioni Evropian këtë verë, presim datë për fillimin e negociatave, tha kryeministri Zaev, duke nënvizuar se ndihma e Malit të Zi në këtë drejtim nuk ka munguar.

“Mali i Zi ishte midis vendeve të para që ratifikuan protokollin e pranimit të NATO-s, i cili inkurajoi të gjitha vendet e tjera që të ndërmarrin një ratifikim të shpejtë të protokollit. Mali i Zi ishte vendi më aktiv i NATO-s që ka punuar për ne në të gjitha hapat tanë deri në pranimin në Aleancë. Mali i Zi po lufton që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të marrin datë për fillimin e negociatave sikur për vendin e saj dhe këtë po e shohim gjithandej”,- theksoi kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.

Në kuadër të mbledhjes së përbashkët, dy qeveritë nënshkruan katër marrëveshje, edhe atë për bashkëpunim në fushën e eurointegrimeve, shëndetësisë, mjedisit jetësor dhe mbrojtjen e ndërsjellë të të dhënave të klasifikuara.

Gjatë qëndrimit në Podgoricë, Zaev ka takuar presidentin malazez, Milo Gjukanoviq, dhe kryeparlamentarin malazez, Ivan Brajoviq. Dy kryeministrat morën pjesë edhe në Biznes forumin të organizuar nga odat ekonomike, me ç’rast shprehën nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit në sferën ekonomike. (TVM2)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Maj 24, 2019 19:13

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...