Zemërohet Kina: SHBA i shet armë Tajvanit

Zemërohet Kina: SHBA i shet armë Tajvanit

Departamenti i Shtetit miratoi shitjen e pajisjeve ushtarake në Tajvan, në vlerë prej 2.2 miliardë dollarësh, pavarësisht kundërshtimeve të fuqishme të Pekinit.

Departamenti autorizoi shitjen e mundshme të 108 tankeve Abrams, 250 raketave Stinger dhe të pajisjeve të tjera, si dhe njoftoi Kongresin.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Geng Shuang, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që të anulojnë shitjen, duke thënë se Pekini e kundërshton fuqishëm këtë veprim.

Kina e konsideron Tajvanin si një provincë renegat dhe kurrë nuk ka hequr dorë nga përdorimi i mundshëm i forcës, për të rifituar kontrollin e ishullit.

Zyra e Presidentit të Tajvanit shprehu mirënjohje për Qeverinë e SHBA-së, për shitjen e armëve.

“Tajvani do t’i përshpejtojë investimet në mbrojtje dhe do të vazhdojë të thellojë lidhjet e sigurisë me Shtetet e Bashkuara dhe vendet me ide të ngjashme”, tha zëdhënësi.

Marrëdhëniet Kinë-SHBA kanë qenë të tensionuara në muajt e fundit, për shkak të tregtisë dhe asaj që Uashingtoni e konsideron si militarizim të Kinës në Detin e Kinës Jugore./tch/

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Korrik 9, 2019 21:02
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.