Zgjedhjet paramentare, partitë “gatuajnë” programet zgjedhore

Zgjedhjet paramentare, partitë “gatuajnë” programet zgjedhore

Partitë politike shqiptare në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të planifikuara për 12 prill të vitit 2020, përveç akuzave dhe kundër-akuzave publike, prapa kuintave punojnë edhe në përpilimin e Programeve zgjedhore me të cilat do ta kërkojnë besimin e qytetarëve për ti përfaqësuar në Parlament dhe Qeveri.

Partitë politike për veç betejës verbale mes tyre, janë edhe në fazën përfundimtare të përgatitjes së Programeve elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të planifikuara që të mbahen më 12 prill të vitit 2020. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) më 21 dhjetor do të mbajnë Kongresin e katër partiak, nga ku pritet që lideri i kësaj force politike, Ali Ahmeti, të shpalosë edhe Programin e quajtur “BDI e 20 viteve të ardhshme” me të cilin kjo parti do të garojë edhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“BDI e ka rolin pozitiv dhe konstruktiv në vigjilje të vendimeve të mëdha për BE-në dhe NATO-n, me theks në implementimin e parimeve dhe politikat që përpiqemi t’i promovojmë në veting, respektivisht në verifikimin që konsiderojmë se duhet të implementohet në të gjitha institucionet e sistemit me qëllim që të kthehet kredibiliteti i politikës, por më e rëndësishmja kredibiliteti i institucioneve të sistemit. Pika e dytë për organizimin e brendshëm, respektivisht për përgatitje për kongresin e partisë, i cili do të jetë me rëndësi historike duke pasur parasysh se ai kongres do të publikohet programi i ri i BDI-së, e ajo është që BDI-ja në 20 vitet e ardhshme dhe parimet post Marrëveshje e Ohrit”, thonë nga BDI.

Nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës thonë se në vijim e sipër është përpilimi i Programit zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, i cili do të jetë edhe programi Qeverisës i kësaj partie për vitin 2020-2024. “Akademia Politike e ASH-së së bashku me departamentet , ku bëjnë pjesë edhe ekspertë të fushave të ndryshme, kanë punuar vazhdimisht në hartimin e programit parazgjedhor që njëherësh do të jetë edhe programi ynë qeverisës për vitin 2020-2024. Ky program politik, pritet të plotësohet nga idetë e bashkëqytetarëve tonë, që ditëve në vijim do ta dëgjojmë edhe drejtpërdrejtë zërin e tyre, dhe kërkesat e tyre që te njëjtat ti përfshijmë në programin tonë politik. Gjithashtu, do të kemi takime edhe me sektorin civil, kuadrin akademik, duke i dëgjuar edhe ata për të krijuar një program politik, që do ti përfaqësonte sa më mirë interesat politike, juridike dhe ekonomike të shqiptarëve në veçanti dhe në përgjithësi të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”, deklaroi për KOHA, Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH-së. Ai thekson se objektivi programor dhe oferta politike e ASH-së ndaj qytetarëve do të jetë, funksionimi i shtetit ligjor, barazia politike, zhvillimi ekonomik, perspektiva euroatlantike, mirëqenie ekonomike, arsimi cilësor, shëndetësia, kultura, hapja e vendeve të reja të punës, forcimi i sektorit privat, parandalimi i migracionit etj.

Edhe nga Lëvizja BESA thonë se ekspertët e kësaj partie janë duke hartuar programit elektoral i cili do të bazohet në katër shtylla kryesore barazi, ekonomi, stabilitet dhe siguri. “Ne kemi filluar veçse me ndërtimin e Programit zgjedhor të cilin e kemi emëruar me ‘Platforma BESA’, pasi ky Program do ndërtohet mbi bazamentin e katër shtyllave dhe atë Barazisë, Ekonomisë, Stabilitetit dhe ndërtimit të Ardhmërisë të sigurt. Nga takimet që kemi për çdo ditë me strukturat, ne po ndërtojmë ofertën konform pritjeve të qytetarëve”, deklaroi për KOHA, Arjanit Hoxha, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes BESA.

Ndërkohë, Bekim Fazliu nga PDSH e Menduh Thaçit për KOHA thotë se Programi i tyre partiake për zgjedhjet e 12 prillit ende nuk është finalizuar, por në masë të madhe, siç shprehet ai, programi ka të bëjë me “Marrëveshjen Politike” të PDSH-së e cila parasheh rregullimin e disa çështjeve kolektive për shqiptarët, mes të cilëve edhe Parlament dy dhomësh etj., por thekson se para qytetarëve do të paraqesin edhe një ofertë të veçantë ekonomike. RDK-ja e Vesel Memedit më 15 dhjetor mban Kongresin e dytë partiak në të cilin do të prezantohet edhe Programi zgjedhor i kësaj partie. “Tani ndodhemi në prag të përgatitjeve të fundit për mbajtjen e Kongresit partiak që do të mbahet me 15 Dhjetor. Programi, edhe ai partiak, edhe ai zgjedhor, do të dali nga vet Kongresi”, deklaroi për KOHA, Vesel Memedi, kryetar i RDK-së.

Ndryshe, më 20 tetor liderët e partive politike parlamentare në Maqedoni, në një takim në rezidencën presidenciale në lagjen Vodno në Shkup, u dakorduan që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 12 prill të vitit 2020. Ndërkohë, sipas dispozitave të Marrëveshjes së Përzhinës, nga 3 janari i vitit të ardhshëm vendi udhëhiqet nga Qeveri teknike në të cilën bënë pjesë edhe opozita me disa dikastere ministrore, mes të cilëve udhëheq edhe me Ministrin e Brendshme. (koha.mk)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Dhjetor 2, 2019 19:43

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.