Zgjedhjet, partitë vazhdojnë përgaditjet

Zgjedhjet, partitë vazhdojnë përgaditjet

Kanë mbetur edhe dy ditë deri në skadimin zyrtar të afatit kur partitë politike duhet  të dorëzojnë në KShZ listat përfundimtare të kandidatëve për kryetarë komunash dhe këshilltarë komunalë.

Partitë po zyrtarizojnë kandidatët e shumicës së komunave dhe për ditët e fundit kanë mbetur vetëm disa komuna ku në garën e brendshme partiake ka më shumë se një kandidat.

Në Tetovë, BDI ende ka në garë dy emra, kryetaren aktuale, Teuta Arifi, dhe Ibraim Deharin.

“Besa” garon me kreun e saj, Bilall Kasamin, PDSh me nënkryetarin e partisë, Bardhyl Dautin, Aleanca për Shqiptarët me Adnan Nezirin dhe PPD me Arben Rusin. Në Çair, BDI garon me Visar Ganiun, “Besa” me Zeqirija Ibrahimin, Aleanca me Faruk Avdiun dhe PDSh me Idriz Oranën.

Në Strugë garon kreu i Aleancës, Ziadin Sela, PDSh me Pëllumb Vlashin, “Besa” me Lavdrim Elmazin, ndërsa nga BDI lakohet emri i Ramiz Merkos, por ende pa asnjë konfirmim zyrtar.

Në Gostivar, BDI rikandidon Nevzat Bejtën, që do ketë përballë Arben Taravarin e Aleancës, Sabajdin Izeirin e PDSh-së dhe Asaf Ademin e “Besës”.

Në Kërçovë, BDI rikandidon  Fatmir Deharin, që deri tani duket se nuk do të ketë kundërkandidat shqiptar.  Në Dibër, BDI rikandidon Ruzhdi Latën, “Besa” me Xhemail Çupin, PDSh me Petrit Klenjën, LR-PDSh  me  Arben Agollin dhe “Uniteti” me Shkëlqim Xhafën. LSDM tashmë ka bërë publikë emrat e dy kandidatëve shqiptarë për këto zgjedhje, Milikije Halimin në Haraçinë dhe Hadi Osmanin në Likovë. Me mjaft interes priten edhe kandidaturat e tjera shqiptare nga LSDM,  gjë që do e çojë garën për votën shqiptare në një drejtim të ri.

Të përfunduara thuajse janë edhe listat e partive shqiptare edhe për shumë komuna të tjera.

Në komunën e Gazi Babës, Çashkës dhe në Manastir, BDI, Aleanca dhe BESA dolën me lista të përbashkëta për këshillin komunal, për të përfituar maksimumin e votës shqiptare.

Edhe LSDM dhe VMRO-DPMNE kanë publikuar shumicën e emrave të kandidatëve, përfshi ato për kryeqendrën ku do të garojnë Petre Shilegov për LSDM-në dhe Koce Trajanovski për VMRO-DPMNE-në.

Partitë shqiptare ende nuk kanë vendosur nëse do të kenë apo jo kandidatët e tyre për Qytetin e Shkupit. (TVM2)

 

 

 

 

 

Abedin Bilalli
nga Abedin Bilalli Shtator 12, 2017 20:07

MARKETING

NA NDIQNI NE FACEBOOK

MOTI SOT
26°