ZHURNAL | Terreni sportiv në Reçan dhe pika e fluturimit për paraglajding në Gostivar projekte të realizuara plotësisht

ZHURNAL | Terreni sportiv në Reçan dhe pika e fluturimit për paraglajding në Gostivar projekte të realizuara plotësisht

Agjencia e Lajmeve Zhurnal gjatë hulumtimit të premtimeve parazgjedhore të dhëna nga kandidatët dhe fituesit e zgjedhjeve lokale të 2013 ka hasur edhe premtimi për “Ndërtimi i terrenit të sporteve në fshatin Reçan” të dhënë nga kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta. Ky projekti ishte pjesë e programit zgjedhor të BDI-së për zgjedhjet lokale në vitin 2013, të titulluar: “Bashkë ndërtojmë”.

“Banorët e fshatit Reçan kanë fituar terrenin e ri sportiv. Kryetari i Komunës së Gostivarit, z. Nevzat Bejta i shoqëruar nga shefi i kabinetit, z. Bashkim Hasani dhe ish deputeti Jamin Sinani i cili është nga ky fshat, bashkë me banorët lokal inauguruan terrenin e ri sportiv të ndërtuar në periferi të fshatit.

Kryetari Nevzat Bejta tha që në këtë mandat prioritet ka qenë ndërtimi dhe restaurimi i terreneve sportive në vendbanimet e Gostivarit.

”Jemi në fshatit Reçan. Banorët dhe kryesisht rinia e fshatit vazhdimisht kanë kërkuar ndërtimin e një fushë sporti në fshatin e tyre të lindjes. Pasi bëmë asfaltimin e rrugës, ramë dakord bashkë me banorët e fshatit që ta ndërtojmë fushën e sportit. Sot kemi ardhur këtu ta lëshojmë në përdorim. Është bërë një terren me standarde dhe besoj që tashmë banorët, rinia dhe fëmijët kanë vendin e duhur për të ushtruar aktivitetet sportive”, tha kryetari Nevzat Bejta.

Ish deputeti Sinani, potencoi që ndërtimi i terrenit sportiv ka qenë kërkesë e kahmotshme e banorëve të fshatit Reçan, dhe shprehu kënaqësinë e tij që tashmë kjo kërkesë e tyre u bë realitet.

“Bashkë me kryetarin e Komunës, z. Nevat Bejta bëjmë hapjen solemne të terrenit sportiv që do të shfrytëzohet nga rinia dhe banorët e fshatit Reçan për sporte të ndryshme. Besoj që terreni do të shfrytëzohet edhe nga nxënësit e shkollës fillore të fshatit për të bërë aktivitetet e edukatës fizike. Ishte një nevojë dhe kërkesë e kahmotshme e banorëve të fshatit Reçan që të kenë një fushë sportive, por për fat të keq nuk ishte realizuar me vite. Gëzohem që sot po e përurojmë këtë terren sportiv”, tha ish deputeti i zonës, Jamin Sinani.

Banorët e fshatit Reçan u shprehën tejet të kënaqur nga ky dhe investimet e tjera që kreu Komuna e Gostivarit në vendbanimin e tyre. Ato njëzëri thanë se terreni i ri sportiv do të jetë shumë i dobishëm për banorët dhe veçmas rininë dhe fëmijët e fshatit.

Terreni sportiv është pajisur me rrethoje, ndriçim si dhe pajisje për futboll dhe basketboll.”, kështu shkruan në faqen zyrtare të Komunës së Gostivarit që mban datën 29 Tetor – 2016.

Në bazë të metodologjisë që ndjek Agjencia e Lajmeve Zhurnal mund të konstatohet se projekti i premtuar nga kyetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, në zgjedhjet lokale të vitit 2013, “Nërtimi i terrenit të sporteve në fshatin Reçan, është përmbushur plotësisht.

Poashtu, Agjencia e Lajmeve Zhurnal gjatë inspektimit të realizimit të premtimeve parazgjedhore nga kandidati dhe kryetari i tanishëm i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta ka hasur edhe premtimin e “Ndërtimit të pikës së parë të fluturimit në paraglajding në territorin e Komunës së Gostivarit”.

“Në prani të kryetarit të Komunës së Gostivarit, z.Nevzat Bejta, zëvendësambasadorit amerikan në Shkup, z.Barton Putney, përfaqësuesve të USAID-it, drejtuesve të klubit të fluturimeve “Kondor”, garuesve dhe adhuruesve të shumtë të “paragllajdingut”, në mënyrë solemne është inauguruar pika e parë e fluturimit në paragllajding në territorin e Komunës së Gostivarit, e cila ndodhet rrugës për në fshatin Koritë.

Në fjalimin përshëndetës kryetari i Komunës, z. Nevzat Bejta deklaroi se ky aktivitet realizohet në kuadër të aktiviteteve për shënimin e ditës së Komunës së Gostivarit, 29 Qershorit.

“Sot lëshuam në përdorim platon për fluturime në Paragllajding, si dhe bëmë hapjen solemne të garave në aderim preciz në paragllajding “Gostivari Open – 2015”. Kjo plato realizohet me iniciativë të klubit për fluturime “Kondor”, nga Gostivari në bashkëpunim dhe financim të përbashkët të Komunës së Gostivarit dhe projektit të USAID-it për zgjerim të bizneseve të vogla. Në emrin tim dhe qytetarëve të Komunës së Gostivarit, dëshiroj t’i shpreh falënderim zëvendës ambasadorit Barton Putney, USAID-it dhe popullit amerikan për realizimin e shumë projekte në komunën tonë”, deklaroi kryetarit të Komunës së Gostivarit, z.Nevzat Bejta, duke shtuar se: “Në shkurt të këtij viti Komuna e Gostivarit nënshkroi memorandum për mirëkuptim me USAID-in për ndërtimin e platos për fluturime në Paragllajding”.

Kryetari Nevzat Bejta falënderoi për praninë e tyre paragllajderët e ardhur nga Kosova, Shqipëria, Ukraina dhe shtete të tjera.

Zëvendësambasadori amerikan, z.Barton Putney u shpreh i lumtur që ndodhet në këtë eveniment të rëndësishëm dhe tepër indikativ për zhvillimin e turizmit dhe joshjen e turistëve vendas dhe të huaj.

“Bashkë me familjen time sot ndodhem këtu. Është hera e dytë që do të fluturoi në paragllajding dhe është një ndjenjë e posaçme. Ky investim besoj se do të shërben në zhvillimin e bizneseve të vogla të regjionit përmes zhvillimit të turizmit. Ky sport ka adhurues dhe besoj se këtë vend do ta vizitojnë turistë vendas dhe të huaj”, shtoi mes tjerash zëvendës ambasadorit Putney.

Kryetari i Klubit të Paragllajdingut “Kondor”, z.Mentor Saiti shprehu kënaqësi që iniciativa e tij gjeti mbështetje dhe u bë realitet.

“Kjo iniciativë ishte një ëndërr për ne dhe me ndihmën e Komunës së Gostivarit dhe USAID-it u bë realitet. Ky sport ka adhurues sepse tek klubi jonë vazhdimisht kemi persona që vijnë dhe interesohen. Sa i përket projekti, brenda katër muajve është bërë një punë voluminoze. U vendosën tabelat e informacionit në fushën e ngritjes, një stacion meteorologjik, platformë hidraulike për përgatitjen e paragllajderëve përpara ngritjes si dhe u vendosën shenjat rrugore për të shënuar fushën e ngritjes. Pra, të gjitha kushtet e nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve. Komuna e Gostivarit respektoi marrëveshjen duke pastruar dhe rrafshuar fushën e ngritjes si dhe siguroi ndihmë logjistike dhe administrative gjatë tërë procesit të ndërtimit”, tha mes të tjerash Saiti, i cili shprehu bindjen që në bashkëpunim me Agjencinë për promovimin dhe mbështetjen e turizmit malor, përmes promovimit të këtij sporti edhe në Komunën e Gostivarit të vijnë turistë.

Kryetari i Komunës së Gostivarit, z.Nevzat Bejta i shoqëruar edhe nga zëvendës ambasadorit amerikan në Shkup, z.Barton Putney dhe të pranishëm të tjerë, po ashtu realizuan edhe shëtitjen malore duke nisur nga fshati Koritë për tu ngjitur në pikën më e lartë e malit Taul.

Të dielën, në mjediset e Këshillit të Komunës së Gositvarit, me një ceremoni rasti kryetari i Komunës së Gostivarit, z.Nevzat Bejta do të bëjnë ndarjen e çmimeve për fituesit e tre vendeve të para në garat në aderim preciz në paragllajding “Gostivari Open – 2015”.

Aktivitetet për shënimin e ditës së Komunës së Gostivarit, do të vijojnë deri ditën e hënë.”, kështu shkruan në faqen zyrtare të Komunës së Gostivarit që mban datën 27 qershor – 2015.

Edhe ky projekt mund të konstatohet si i përmbushur plotësisht nga kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, gjithnjë duke u bazuar në metodologjinë që ndjek Agjencia e Lajmeve Zhurnal.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Shtator 13, 2017 15:43

#deklarim

MARKETING

NA NDIQNI NE FACEBOOK

ARKIVI I LAJMEVE

Moti sot
14°