14 punkte për testime të Covid-19, nuk hapen në Çair dhe Hasanbeg

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka March 23, 2020 19:15

14 punkte për testime të Covid-19, nuk hapen në Çair dhe Hasanbeg

Prej 14 pika për testim të virusit Korona në të gjithë territorin, sot u hap vetëm njëra. Për shkak të privatësisë së pacientëve, kamerat nuk u lejuan të filmojnë brenda Poliklinikës Jane Sanadanski. Në Hasanbeg hapet nesër, kurse në Poliklinikën e Çairit pas tri ditësh, thanë autoritetet. Qytetarët druajnë se këto pika-testimi nuk do të kenë kapacitet për të testuar të gjithë ata që kanë pasur kontakte direkte.

“Nuk di se a do të ketë kapacitete dhe teste për t’i testuar të gjithë qytetarët, të cilët duan që të testohen. Por, nuk është keq që Qeveria apo Ministria e Shëndetësisë t’i tregoj emrat e të gjithëve të infektuar me Korona që të munden qytetarët për rreth të shkojnë me vetë iniciativë të testohen”.

“Mendoj se është mirë kjo të paktën të ketë një preventivë përpara se të ndodh. Natyrisht që është ide e qëlluar dhe duhet të zbatohet. Nuk e shoh veten se kamë simptome të tilla dhe nuk kam pyetur”.

“Rrimë të mbyllur nëpër shtëpi, nuk duhet të dilet pa nevojë. Ti respektojmë rekomandimet është më mirë për të gjithë ne. Është mirë edhe ajo, për ne, për të gjithë. Sigurisht edhe unë do ta bëj testimin”.

Nga Këshilli i Mjekësisë Primare thonë se këto 14 pika testimi do të punojnë nga ora 8 deri në 14, duke mundësuar që mostra tu merret mesatarisht rreth 30 pacientëve në ditë. Mjeku Burak Shabani tha për Alsat se terminët bëhen edhe përmes mjekëve amë, të cilët vlerësojnë simptomat e pacientëve.

Përmes mjekëve amë nëse keni simptome apo keni pasur kontakt me ndonjë të sëmurë do të lajmëroheni tek mjeku amë. Ai përmes sistemit do të bëj anamnezën dhe nëse ka nevojë do të bëjë termin dhe me udhëzim do të vijnë pacientët për mostër – deklaroi Burak Shabani, Këshilltar për mjekësinë primare.

Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik vendosën që 14 pika testimi të hapen në të gjithë territorin, prej tyre tri në Shkup. Kjo është metoda e re për të detektuar fluksin e shtuar të pacientëve eventual. Ndërkaq, linjat telefonike vazhdojnë të funksionojnë për tu lajmëruar tek epidemiologët. Autoritetet thonë se sipas urgjencës ekipet e mjekësore shkojnë edhe në shtëpitë e pacientëve që kanë simptome të Covid-19, e deri sa të vijë rezultati të infektuarit të transportohen me autoambulancë në Klinikën Infektive.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka March 23, 2020 19:15