15 vite për një Qendër Kulture!

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 20 Qershor, 2022 20:27

15 vite për një Qendër Kulture!

Nga komuna nuk e dinë se kur kjo qendër, që ka të gatshme dhe funksionale vetëm ambientet e administratës (për momentin zyrat i janë dhënë disa shoqatave joqeveritare) do të presë shiritin e inaugurimit. Ndërkohë që mungesa e një qendre kulture për këtë zonë në vite është “zgjidhur” me forma alternative – me zhvillimin e aktiviteteve në ambiente publike, sheshe, shkolla…e të tjera.

Kanë kaluar më shumë se 15 vjet nga fillimi, pezullimi dhe sërish nisja e punimeve, por projektit për përfundimin e Qendrës së Kulturës së Komunës së Likovës nuk i duket akoma fundi. Finalizimi i objektit të kulturës është anuluar dhe shtyrë për vite me radhë për shkak të mungesës së fondeve, por edhe komplikimeve të krijuara në vite nga shlyerja e borxheve të Komunës dhe likuidimit të detyrimeve të mbetura. Ndërtimi i saj dhe premtimi për vënien në funksion ka kaluar nga njëri mandat në tjetrin, por asnjë prej kryetarëve nuk ka gjetur zgjidhje. Madje, nga komuna nuk e dinë se kur kjo qendër, që ka të gatshme dhe funksionale vetëm ambientet e administratës (për momentin zyrat i janë dhënë disa shoqatave joqeveritare) do të presë shiritin e inaugurimit për objektin kryesor, sallën ku do të zhvillohen aktivitetet. “Me rebalancin e buxhetit në vitin 2020 na u tërhoqën mjetet. Punimet për përfundimin e sallës kanë ngecur dhe nuk është funksionale. Me disa grante dhe nga buxheti kemi arritur në përfundimin e karabinës, por që të fillojë me punë duhen instalimet elektrike, pajisja e enterierit… Vetëm zyrat e administratës janë të përfunduara”, thonë nga komuna.

Për përfundimin e punimeve komunës i duhet të sigurojë fondin e nevojshëm, ndërkohë që mungesa e një qendre kulture për këtë zonë në vite është “zgjidhur” me forma alternative – me zhvillimin e aktiviteteve në ambiente publike, sheshe, shkolla…e të tjera. “Komunës i duhet një qendër kulture, por kjo është gjendja për momentin. E vetmja gjë që kemi bërë është dhënia e zyrave të administratës disa shoqatave që veprojnë në sferën e kulturës, në vitin 2018”, thonë nga komuna. Sa i takon mbështetjes financiare nga Ministria e Kulturës, qendra nuk parashikohet në programet e investimeve.

Buxheti i fundit i akorduar për të ka qenë në vitin 2019, nga fondet e Ministrisë së Kulturës për grante kapitale për njësitë e vetëqeverisjes lokale nga Programi 84 – Mirëmbajtja e objekteve në fushën e kulturës ishte rreth 25 milionë denarë, ndërsa me dy milionë denarë investoi edhe komuna. Përveç zyrave të administratës, Qendra parashikohet të ketë sallën me një kapacitete prej 400 vendesh për zhvillimin e koncerteve dhe aktiviteteve të ndryshme kulturore. Një pjesë e mirë e qendrave të kulturës kanë probleme me rikonstruktimin, apo edhe zgjerimin dhe adaptimin e ambienteve. Numri i qendrave që janë në varësi të pushtetit lokal është rritur pas vitit 2004 pas kalimit në institucione lokale nga nacionale, dhe po ashtu janë shtuar edhe problemet me mirëmbajtjen e tyre. Në një situatë të ngjashme janë edhe qendrat e mbetura nacionale, në varësi të Ministrisë së Kulturës, që kanë probleme me godinat e amortizuara, apo edhe me kapacitetet e kufizuara për zhvillimin e aktiviteteve dhe manifestimeve më të mëdha, për të cilat përdoren sheshet e qyteteve. Në programin e investimeve të Ministrisë së Kulturës për vitin 2022 janë ndarë mbi 500 milionë denarë, për ndërtimin, rikonstruktimin e qendrave të kulturës, mes tyre në këtë program janë edhe Teatri dhe Biblioteka e Tetovës, Qendra e Kulturës në Gostivar, e të tjera. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 20 Qershor, 2022 20:27