163 vjet më parë lindi njëri nga presidentët më me ndikim të shekullit të 20

Desk
By Desk December 28, 2019 22:55

163 vjet më parë lindi njëri nga presidentët më me ndikim të shekullit të 20

Më 28 dhjetor 1856 lindi në Staunton të shtetit Virginia, Thomas Woodrow Wilson, i cili do të bëhej presidenti i 28 i Shteteve të Bashkuara

Shumë historianë e shohin atë si njërin nga presidentët më me ndikim të shekullit të 20. Woodrow Wilsoni, siç njihej ai në përgjithësi, ishte diplomuar në drejtësi dhe kishte një doktoratë për shkenca politike. Ai kishte qenë rektor i Universitetit Princeton të Nju Xhersit dhe qe zgjedhur guvernator i këtij shteti në vitin 1910.

Më 1912, ai u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara. Woodrow Wilsoni luftoi për reforma, ai kërkonte mbrojtjen e punëtorëve, forcimin e sistemit bankar dhe kufizimin e fuqisë së korporatave të mëdha.

Ai u përpoq t’i jepte fund Luftës së Parë Botërore, e cila kishte shpërthyer më 1914, dhe t’i mbante Shtetet e Bashkuara jashtë kësaj lufte. Në vitin 1917, me ngurrim, ai vendosi hyrjen e Amerikës në luftë. Kjo i ndihmoi aleatët të arrinin fitore në vitin 1918. Një vit më vonë, ai u godit rëndë nga hemiplegjia, për të cilin disa thonë se u shkaktua nga kundërshtimi që ndeshën shumë nga propozimet e tij për paqe.

Dy vitet e fundit të karrierës si president ai i kaloi si invalid dhe, sipas disa historianëve, punët e qeverisë pothuajse drejtoheshin nga gruaja e tij, Edith. Woodrow Wilson vdiq në vitin 1924, tre vjet pas largimit nga posti.

Desk
By Desk December 28, 2019 22:55