2 Gushti, mesazhe për Unitet Kombëtar

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 2 Gusht, 2022 19:34

2 Gushti, mesazhe për Unitet Kombëtar

Me mesazhe bashkimi, kreu shtetëror ka shënuar festën e Ilindenit – Ditën e Republikës. Presidenti Stevo Pendarovski, duke ndarë dekorata për merita ushtarake dhe medalje për trimëri për veprimtarë dhe luftëtarë të LNÇ-së, theksoi se populli maqedonas asnjëherë nuk i është dorëzuar asimilimit, shkombëtarizimit dhe revizionizmit historik. Ai tha se edhe tani vendi po përballet me përpjekje për të mohuar identitetin e kombëtar, por se nuk do të heqë dorë nga qëllimi i tij strategjik.

“Në kuadër të përkushtimit tonë për integrimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, kemi synim të vendosur të përmbushim të gjitha kushtet e kapitujve të negociatave evropiane, por nuk kemi ndërmend të diskutojmë me askënd, në vend të vlerave evropiane, për rinovimin e koncepteve dhe ideve imperialiste nga shekujt e kaluar.

Koncepti i një Evrope të bashkuar na jep mundësinë më të mirë për të përfunduar zhvillimin e Maqedonisë së Veriut si republikë moderne evropiane. Këto përpjekje janë sakrifica e brezit tonë për rininë dhe të ardhmen e tyre. Por që e gjithë kjo të mos jetë e kotë, në shtëpi na pret një punë e madhe e papërfunduar”, u shpreh Stevo Pendarovski – president.

Në përkujtimin në “Meçkin Kamen”, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se tani është koha për bashkim dhe besim në një të nesërme më të mirë.

Sipas tij, para nesh qëndron një punë për të ndërtuar shtet evropian, të suksesshëm dhe të fortë. Kovaçevski theksoi se është detyrë e përbashkët që të bashkohemi, pavarësisht përkatësive politike, duke i vënë prioritetet shtetërore përpara.

“Ato prioritete si në kohën e Ilindenit ashtu edhe në kohën e KAÇKM-së janë edhe sot gjegjësisht përparimi i shtetit. Nuk ka prioritet më të madh shtetëror se rruga përpara, e cila sjell perspektivë për të ardhmen e të rinjve dhe përparim ekonomik për qytetarët.

Kjo është e mundur me integrimin në familjen evropiane dhe bëj thirrje për bashkimin e brezave të sotëm për të arritur këtë synim strategjik shtetëror”, tha Dimitar Kovaçevski– kryeministër.

Nga qendra përkujtimore e KAÇKM-së në Pelincë, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi tha se shoqëria është pjekur duke marrë vendime të vështira dhe shtetërore që ia zhbllokuan rrugën euroatlantike, por ato vendime, siç shton krye-parlamentari, nuk kanë qenë të favorshme për bashkim dhe kanë shkaktuar përçarje në “tradhtarë dhe patriotë”, “evropianë dhe rusofilë”.

Xhaferi theksoi se tani duhet unitet, sepse loja sapo ka filluar dhe nuk do të jetë e lehtë. “Tani fillon beteja e vërtetë për reformimin e institucioneve, konsolidimin e radhëve, zbatimin e ligjeve të harmonizuara me legjislacionin evropian dhe për këtë duhet unitet, kontribut i sinqertë dhe kontribut nga çdo individ në shtet”, është shprehur Xhaferi./Alsat.mk

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 2 Gusht, 2022 19:34