Pemët që i rezistojnë kohës

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Prill, 2024 18:59

Pemët që i rezistojnë kohës

Një nga dibranët më të moshuar i cili jeton vitet e 90-ta, Ilmi Krifca në lidhje me Rrapin më të vjetër të qytetit të Dibrës, tregon se vjetërsia e tij është më se një shekull

Në qendër të qytetit të Dibrës gjendet edhe pema më e vjetër e qytetit. Është Rrapi i cili ka një lartësi prej 20 metra dhe sipas gojëdhënave aktualisht është pema më e vjetër në qytet meqë gjatë historisë të bujshme dhe të pasur të Dibrës me shkatërrimin e shumë monumenteve historike në shënjestër kanë qenë edhe pemët e mbjellura kryesisht në oborret e xhamive. Në parkun e qytetit ku nga viti në vit për shkaqe të kohës shumë pemë zhduken, gjenden edhe dy pemët më të hershme siç thonë të moshuarit në Dibër. Në bisedën që patëm me më të moshuarit në Dibër u informuam se të dy Rrapet faktikisht kanë qenë në oborrin e një xhamie që ka qenë në qendër të qytetit e që është rrënuar tërësisht në kohën e Mbretërisë serbo-sllovene-kroate në vitin 1913. Këta pemë edhe sot i rezistojnë kohës edhe pse vëmendja për ta nuk është në nivelin e duhur.

Një nga dibranët më të moshuar i cili jeton vitet e 90-ta Ilmi Krifca në lidhje me Rrapin më të vjetër të qytetit të Dibrës na tregon se vjetërsia e tij është më se një shekull.

“Pema më e vjetër është në pjesën qendrore të Dibrës, ku në afërsi të saj gjendet edhe një pemë tjetër për të cilat ju them se sipas gojdhënave të gjeneratave të mëparshme, janë mbjellë në vitin 1918. Janë dy pemë të cilët për fat të mirë i kanë rezistuar kohës. Por, këta dy pemë flasin shumë për Dibrën, historinë e saj. Siç e dimë çdo qytet dhe fshat kanë Rrapin më të vjetër. Gjeneratat para meje tregonin se në Dibër ka pasur edhe pemë më të vjetër por janë shkatërruar gjatë ndërtimit të objekteve kryesisht fetare. Sa i takon dy pemëve ata kanë qenë në oborrin e xhamisë së Haxhi Ibrahimit. Është një xhami e cila ka qenë shumë e bukur dhe dibranët kanë realizuar ritualet fetare në këtë xhami. Pas shpalljes së pavarësisë të shtetit Shqiptar në vitin 1912, në vitin 1913 kanë filluar torturat serbe dhe kjo xhami është shkatërruar tërësisht në atë kohë”, thotë i moshuari dibran Ilmi Krifca. Përndryshe një njohës i mirë i historisë të Dibrës, traditave dibrane dhe personi i cili i ka dhënë shumë jetës publike në qytet. Si njeri i çarshisë së Dibrës shumë bukur edhe sot tregon qarët ngjarjet që kanë ndodhur në qytet dhe rrethinë. Të dhënat të tjera të Rrapit të Dibrës nuk ka.

Por, këta pemë një shekullore i njohin të gjithë dibranët dhe janë pemët më të vjetra në parkun e qytetit. Sa u takon pemëve të tjera në parkun e qytetit siç theksuam më parë, ata kanë qenë të llojllojshme por që nga viti në vit ata zhduken, meqë nuk mund t’i rezistojnë kohës. Parku i qytetit nga dita në ditë varfërohet kur janë në pyetje pemët dekorativ. Kjo faktikisht shkatërron edhe parkun si një hapësirë e gjelbër që u nevojitet dibranëve.

“Nga parku i mëparshëm kur lulëzonin drunjtë, lulishtet dhe fontana modeste, sot nuk kanë mbetur shumë. Parku duhet të mirëmbahet meqë është hapësira e vetme e gjelbër në pjesën qendrore të qytetit”, na thotë një qytetar dibran V.T. i cili jeton vitet e 80-ta. Ai si një qytetar i respektuar dhe njohës i mirë i situatave në qytete nuk deshi të legjitimohet publikisht por tha se parqet në qytet janë fytyrë e vërtet e bukurisë të qytetit. Pushteti vendor siç tha ai duhet të merret pak më shumë me parkun e qytetit. (koha.mk)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Prill, 2024 18:59