Pendarovski: Në vend që të kërkojnë falje për 27 prillin, paralajmërojnë amnisti për ata që donin të vrasin deputetë

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Prill, 2024 21:27

Pendarovski: Në vend që të kërkojnë falje për 27 prillin, paralajmërojnë amnisti për ata që donin të vrasin deputetë

Zgjedhja, tha kandidati presidencial i mbështetur nga LSDM, është mes atyre që mbrojnë interesat shtetërore dhe atyre të tjerëve që sabotojnë përparimin e vendit, përcjell FLAKA.

Në vend që të kërkojnë falje për aktin më të turpshëm në historinë e shtetit maqedonas, më 27 prill 2017, kur organizuan një rebelim të dhunshëm për të mos ia dorëzuar pushtetin atyre që fituan besimin e qytetarëve, sot disa nga ata deputetë në programin e tyre zgjedhor shpallin amnisti për ata që donin të vrisnin deputetë.

Kjo ka qenë pjesë e mesazheve që ndër të tjera sonte nga tubimi në Shtip i ka dërguar edhe presidenti aktual i shtetit dhe kandidat për mandat të dytë, Stevo Pendarovski, i cili mbështetet nga LSDM dhe koalicioni.

“A është e mundur që po këta njerëz të udhëheqin një politikë tjetër nëse janë në pushtet? Ne as nuk duhet ta marrim me mend se cila do të jetë politika e tyre, sepse e dimë mirë se çfarë ka ndodhur gjatë 11 viteve të tyre. Të ashtuquajturit “patriotët” nuk arritën të bëjnë regjistrim për 11 vjet, të numërohen, të shohim sa jemi dhe në fund të qëndrimeve të pastra maqedonase i thirrën qytetarët në bojkot, për shkak të së cilës 130 mijë maqedonas nuk janë regjistruar në vend dhe kushedi sa të tjerë në diasporë”, tha Pendarovski nga fjalimi i tij në tubimin në Shtip.

Zgjedhja, tha kandidati presidencial i mbështetur nga LSDM, është mes atyre që mbrojnë interesat shtetërore dhe atyre të tjerëve që sabotojnë përparimin e vendit. A duhet, shtoi Pendarovski, qytetarët t’u japin besim atyre, siç i quajti ai, të ashtuquajturve patriotët apo ata që kanë treguar në veprim se dinë të mbrojnë interesat shtetërore të Maqedonisë.

“Duhet të mendojmë me kujdes se pse të njëjtit politikanë dhe e njëjta parti, në opozitë, ofruan opsionin ushtarak në vitin 2001 kur u desh të vrisnin disa fëmijë të tjerë, jo të tyret. Në vend të marrëveshjes së Prespës ofrojnë anulimin e saj dhe të njëjtët që thonë “kurrë veriu” nuk e kanë problem të marrin paga të larta zyrtare nga Maqedonia e Veriut për pesë vite dhe të kenë privilegje si kryetar komunash dhe deputetë”, tha Pendarovski.

Presidenti aktual dhe pretendenti për mandatin e dytë iu referua edhe periudhës para tre viteve kur filluan negociatat me Bashkimin Evropian dhe bisedimeve me Sofjen zyrtare për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit maqedonas. Në këtë kontekst, ai përmendi edhe hapjen e disa klubeve bullgare në vend, me të cilat, siç tha, duke u vënë emra provokues, Sofja ka fyer rëndë kombin, gjuhën dhe identitetin maqedonas.

“Qëndrimi i partisë kryesore opozitare dhe liderit të tyre ishte se nuk mund të ketë klub bullgar me emrin Car Boris dhe nuk kanë asgjë kundër emrit Vanço Mihailov sepse e konsiderojnë veten trashëgimtarë politikë të VMRO-së historike. Që do të thotë se lideri i sotëm është pasardhësi i Vanço Mihailov. Ai është antimaqedonasi më i madh, i cili jetoi 94 vjet dhe asnjëherë nuk përmendi se ka popull, komb dhe maqedonas”, tha Pendarovski.

Në fjalimin e tij para qytetarëve të Shtipit, Pendarovski theksoi se Maqedonia si shtet i prosperuar dhe demokratik është e mundur vetëm nëse i ruajnë dy kontinuitetet strategjike, që, siç tha, janë integrimet euroatlantike dhe marrëdhëniet ndëretnike.

Duke iu referuar angazhimit të tij në integrimet euroatlantike të vendit, Pendarovski tha se në vitin 2018 i ka udhëhequr negociatat për anëtarësim në Aleancën NATO nga pozita e koordinatorit kombëtar të NATO-s, ka mbështetur kornizën negociuese evropiane me të cilën vendi, siç tha ai, jo vetëm që filloi negociatat, por edhe e pozicionoi gjuhën maqedonase në një nga gjuhët zyrtare të Unionit.

“Nuk ka provë më të madhe se ne po e mbrojmë Maqedoninë dhe ata po punojnë kundër kësaj kauze”, tha Pendarovski. FLAKA

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Prill, 2024 21:27