Fushatë pa novitete dhe ide!
Njohësit e proceseve politike vlerësojnë se ecuria aktuale e fushatës po zhvillohet pa ndonjë ndryshim drastik në krahasim me ciklet e mëparshme zgjedhore. Me afrimin e fundit të fushatës, analistët presin që retorika dhe sulmet mes kandidatëve kundërshtarë të intensifikohen, por edhe të ketë një fushatë të zezë dhe sulme të pahijshme
E zakonshme, pa risi, me komunikim të përsëritur, negativ e herë-herë i zi. Ky është vlerësimi i analistëve 12 ditë pas fillimit të fushatës presidenciale dhe prezantimit të shtatë kandidatëve që garojnë për ulësen e “Vila Vodnos”. Mungesa e ballë për ballë mes kandidatëve cilësohet si një moment jashtëzakonisht negativ i fushatës presidenciale, pra është e mundur që për herë të parë të ketë një fushatë presidenciale pa debat publik. Në vend të shfaqjeve të inskenuara dhe qëndrimeve mbrojtëse të ekipeve të PR ndaj kandidatëve, pretendentët për kreun e shtetit duhet të përballen me kritika dhe kundërargumente nga kundërshtarët dhe mediat.
”Ecuria aktuale e fushatës më duket krejt normale, me faktin se këtë herë fushatat përputhen. Edhe partitë në javën fillestare japin një mbështetje relativisht të madhe për kandidatët për president, e cila është e pritshme, edhe pse nuk e di sa është e saktë sepse ende nuk ka nisur fushata për zgjedhjet parlamentare. Deri më tani, të gjithë i drejtohen audiencës së tyre dhe makineritë e partisë sjellin votuesit dhe anëtarët e tyre në ato mitingje dhe takime dhe rrallëherë qytetarët kanë mundësi të marrin pjesë në to, madje edhe kur vijnë dëgjojnë vetëm një kandidat dhe nuk mund të shohim dallimin mes kandidatëve”, thotë analisti Aleksandar Krzhalovski.
Debatet, sipas tij, kanë të bëjnë pikërisht me vlerësimin e secilit veç e veç krahasuar me të gjitha përnjëherë.
Me afrimin e fundit të fushatës, ai pret që retorika dhe sulmet mes kandidatëve kundërshtarë të intensifikohen, por edhe të ketë një fushatë të zezë dhe sulme të pahijshme. Krzhalovski thotë se zakonisht gjysmën e parë të fushatës kandidatët e shfrytëzojnë për prezantimin dhe promovimin e tyre dhe për të siguruar vota nga anëtarësia e tyre, ndërsa në pjesën e dytë do të tentojnë të fitojnë mbi të pavendosurit ose në anën tjetër të dëmtojnë kandidatin kundërshtar, gjegjësisht të zvogëlojnë numrin e votuesit të kundërshtarit.
Për momentin është e paqartë nëse në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale do të përballen në debat kandidatët Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska-Davkova, Stevço Jakimovski, Bujar Osmani, Biljana Vankovska, Arben Taravari dhe Maksim Dimitrievski. Fillimisht, me sugjerim të presidentit aktual dhe kandidatit për mandat të dytë Pendarovski, do të mbahen dy master-debate në të cilat do të marrin pjesë të gjithë kandidatët për president dhe do të transmetohen në televizion. U arrit një marrëveshje në parim për një debat dhe më pas propozimi dështoi. Është e paqartë nëse ndonjë nga televizionet do të arrijë të organizojë një debat me të shtatë kandidatët. Deri më tani ka pasur vetëm një duel presidencial televiziv mes Osmanit dhe Taravarit.
Edhe analisti politik Dame Çktaroski vlerëson se ecuria aktuale e fushatës po zhvillohet pa ndonjë ndryshim drastik në krahasim me ciklet e mëparshme zgjedhore. “Opozita dhe Pozita duket se nuk kanë asnjë kontakt me botën e jashtme. Duket se politika është reduktuar në hermetizëm në partinë e vet dhe politika e Maqedonisë vendoset diku mes ‘Debar Maallo’, ‘Qeverisë’, ‘Pallatit të Bardhë’, ‘Bihaçkës’ dhe ‘Reçicës së Vogël’. Me kaq u ndërtua i gjithë PR i partive dhe duket se është një PR që lëviz vetëm në këto drejtime që përmenda më lart. Aq më tepër që PR-ja e VMRO-DPMNE-së është ndalur diku në vitin 2015/2016, dhe LSDM-ja nuk ka kapacitet për 7 vite dhe as nuk mund të shpjegojë së paku politikat e tyre pozitive. Në total, nuk ka asgjë të re. Mund të themi se politikanët në Maqedoni nuk kanë ndonjë strategji afatmesme ose e fshehin sepse do të sillte vota negative për të gjitha partitë. Veçanërisht i bezdisshëm është fjalori për paraqitjet fizike. Unë mendoj se ne duhet të shikojmë veten në pasqyrë. Ne nuk jemi aq idealë. Të paktën të mbajmë një nivel për paraqitjen e Ali Ahmetit, Pendarovskit, Siljanovskës dhe të anashkalojmë të thjeshtën”, ka deklaruar Dame Çkatroski, analist. (koha.mk)