Janë 6 policë të burgjeve që dyshohet se i mundësuan arratisjen një të dënuari për vrasje
Pesë policë të Policisë së Burgjeve të ndihmuar nga një koleg në Policinë e Burgjeve, mundësuan arratisjen e një të dënuari për vrasje, këtë e ka treguar hetimi i Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, përcjell TV21. I dënuari po trajtohej në një spital privat, ku nga dhoma e spitalit ka shkuar në dhomën e pirjes së duhanit. Policët kanë dalë nga dhoma dhe i dënuari është arratisur me veturë. Prokuroria kërkon paraburgim ndaj 6 efektivëve në Policinë e Burgjeve, me arsyetimin se ekziston mundësia që ata të arratisen, të fshehin provat ose të ndikojnë tek dëshmitarët.
“Më datë 26.10.2023, në një objekt privat shëndetësor në Shkup, pesë të dyshuarit – zyrtarë të policisë së burgjeve në burgun e Idrizovës Shkup, si grup, të ndihmuar nga i dyshuar i gjashtë- praktikant- polic fillestar në Policinë e Burgjeve, kanë mundësuar arratisjen e personit të dënuar për veprën penale “Vrasje” nga neni 123 paragrafi 1 i Kodit Penal”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë.
Hetimet paraprake po kryhen edhe për 11 policëve të tjerë, për të cilët Prokuroria kërkon që të shqiptohen masa kujdesi.
17 pjesëtarë të policisë së burgjeve janë arrestuar mëngjesin e sotëm
17 pjesëtarë të policisë së burgjeve janë arrestuar mëngjesin e sotëm në një aksion të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion dhe MPB-së.
Nga Prokuroria konfirmojnë se ka pasur një aksion të tillë dhe se janë arrestuar 17 persona dhe për një kohë të shkurtër do të dalin me më shumë detaje rreth aksionit në fjalë.
Sipas informacioneve jozyrtare, aksioni ka të bëjë me arratisjen e një të burgosuri dhe nuk ka të bëjë me bastisjet e javës së kaluar në burgun e “Idrizovës”.
Raportohet se pjesëtarët e dyshuar të policisë së burgjeve tashmë janë dërguar në Gjykatën Themelore Penale në Shkup.


















