Kreditë e shpejta nën kontroll, nuk ka kredi pa praninë fizike të klientit
Nuk ka më dhënie të një kredie të shpejtë pa praninë fizike të klientit që kërkon kredinë, përcjell FLAKA.
Ky ndryshim në punën e shoqërive financiare vjen pasi Ministria e Financave miratoi Rregulloren për përcaktimin e rrezikut kreditor, me të cilin bëhet kontroll sistematik i shoqërive financiare që ofrojnë kredi të shpejta. Ai nënkupton identifikimin, matjen, kontrollin dhe monitorimin e rrezikut të kredisë, i cili përfshin gjithashtu procedura për vlerësimin e aftësisë kreditore, për identifikimin dhe përditësimin e të dhënave të klientëve. Me këtë, sipas Ministrisë, vendoset kontroll i sistemit në funksionimin të kompanive, përcjell FLAKA.
“Me aplikimin e Rregullores është e pamundur që shoqëria financiare t’i aprovojë kredi një aplikanti që nuk është i denjë për kredi, gjegjësisht shoqëria financiare duhet të vlerësojë aftësinë kreditore të aplikantit në bazë të informacionit të dhënë nga aplikanti dhe një informacioni përkatës, bazën e jashtme të të dhënave përpara lidhjes së marrëveshjes së huasë. Nëse nga vlerësimi i aftësisë kreditore shoqëria financiare konstaton se totali i detyrimeve mujore të kredimarrësit tejkalon 70 për qind të totalit të të ardhurave mujore të tij, shoqëria financiare nuk do të mund të miratojë një kredi të re. Në këtë mënyrë do të parandalohet mbi borxhi i qytetarëve”, njoftoi Ministria e Financave.
Mundësia që ofronin këto kompani, aprovimin e një kredie përmes një aplikacioni online, u keqpërdor nga shumëkush, për të cilën shpesh peticionet arrinin edhe tek Avokati i Popullit, Naser Ziberi. Në një prononcim, ai thotë se edhe pse institucioni i Avokatit të Popullit nuk ka juridiksion, janë bërë apele për ndryshimin e Ligjit për shoqëritë financiare, me qëllim vendosjen e rregullit dhe disiplinës.
Avokati i Popullit kërkoi edhe rritjen e mbikëqyrjes ndaj këtyre kompanive nga Banka Popullore, ndërsa nga MPB-ja është kërkuar hapja e hetimeve. FLAKA


















