Organizatat qytetare të monitorojnë shpenzimin e parave dhe realizimin e projekteve infrastrukturore
OJQ Estima kërkon që organizatat civile të përfshihen në realizimin e projekteve infrastrukturore. Sipas kryetares Krstinovska, sektori civil duhet të konsultohet në të gjitha fazat e ciklit të projektit, por duhet të monitorohet edhe prokurimi publik, si dhe shpenzimi i parave, përcjell FLAKA.
“Kemi disa raste të projekteve infrastrukturore që ndërtohen me shuma të mëdha parash, dhe nuk shfrytëzohen më tutje. Kemi shumë abuzime në fazën e prokurimit dhe kontraktimit publik. Përfshirja e shoqërisë civile do të ishte në interes të tejkalimit të të gjitha atyre mospërputhjeve”, tha Ana Krstinovska, ESTIMA.
Planifikimi i dobët çon në investimin e më shumë parave për të korrigjuar ato gabime. Prandaj, nëse organizatat e shoqërisë civile bëjnë mbikëqyrje në atë fazë, do të kishte transparencë më të madhe dhe do të parandaloheshin gabimet, thotë Krstinovska.
“Meqë po flasim për Korridorin 8, ka pasur problem me lidhjen e përgjithshme, pra me 4 projekte të ndryshme që është dashur të kalojnë rreth liqenit të Ohrit, ndërlidhësi i energjisë elektrike, hekurudha, interkonektori i gazit dhe autostrada. Ka pasur gjetje nga UNESCO se rrugët që janë zgjedhur janë të pamjaftueshme dhe duhet të ndryshohen, dhe kjo është diçka që në thelb organizatat lokale e kanë vënë në dukje që kur ato faza ishin duke u zhvilluar. Tani, vetë ndërrimi i itinerareve do të kushtojë disa milionë euro që nuk do të duhej të shpenzoheshin nëse rekomandimet e tyre do të ishin marrë parasysh në fillim në planifikim”, tha Ana Krstinovska, ESTIMA.
Në panel ishte i pranishëm edhe ambasadori evropian David Geer, i cili tha se shoqëria civile ka një rol kyç në llogaridhënie, dhe gjithashtu mund të sjellë ekspertizë në zbatimin e vetë infrastrukturës. FLAKA


















