Nisma për daljen e Maqedonisë së Veriut nga Ballkani i Hapur, reale apo për fushatë elektorale?

Flaka
Botuar nga Flaka 18 Prill, 2024 23:15

Nisma për daljen e Maqedonisë së Veriut nga Ballkani i Hapur, reale apo për fushatë elektorale?

Maqedonia e Veriut do ta shqyrtojë largimin nga nisma Ballkani i Hapur, pasi tashmë ka informacione se Serbia ka qenë e përfshirë në incidentin në Banjskë të Kosovës, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, raporton Radio Evropa e Lirë

Osmani tha se Serbia ka vepruar në kundërshtim me synimet e kësaj nisme, përfshirë pajtimin për të krijuar parakushte për mbylljen e kontestit Kosovë-Serbi dhe për njohjen reciproke dhe liberalizimin e tregut rajonal.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut thanë të enjten se “në Qeveri ende nuk ka arritur një kërkesë e tillë nga MPJ-ja për t’u diskutuar nga ekzekutivi”.

Deklarata e Osmanit pason një reagim të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, të hënën më 15 prill. Ajo përkujtoi deklaratën e Osmanit se Maqedonia e Veriut do të shqyrtojë pjesëmarrjen në Ballkanin e Hapur, në rast se Serbia është e përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë.

Përplasjet e tilla po ndodhin në kohën e fushatës zgjedhore për president të Maqedonisë së Veriut. Lidhur me paralajmërimin e Osmanit, ka reaguar edhe Taravari duke akuzuar atë dhe BDI-në për “lidhje me Serbinë dhe Rusinë”.

Kundër paralajmërimit të Osmanit u shpreh edhe zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq nga LSDM-ja dhe Presidenca e Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale pritet të largohet nga nisma Ballkani i Hapur, nismë e cila kishte arritur të përfshin në ndonjë formë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, në përjashtim të Republikës së Kosovës. Tërheqje nga Ballkani i Hapur ka paralajmëruar kandidati i Frontit Europian, Bujar Osmani dhe kandidati i koalicionit VLEN, Arben Taravari.

Maqedonia e Veriut dhe Serbia, bashkë me Shqipërinë janë bashkëthemeluese të iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur“, me të cilin synohej të përmirësohet liria e lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe njerëzve. Kosova ka refuzuar që nga fillimi të bëhet pjesë e saj duke theksuar se ekziston nisma “Procesi i Berlinit” dhe se me “Ballkanin e Hapur” fuqizohet Serbia. Ky proces u krijua në vitin 2014 si platformë për bashkëpunim të nivelit të lartë midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, shteteve dhe institucioneve anëtare të BE-së, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shoqërisë civile dhe bizneseve në rajon.

Flaka
Botuar nga Flaka 18 Prill, 2024 23:15
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media