Problemet me mbeturinat inerte

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 19 Prill, 2024 19:50

Problemet me mbeturinat inerte

Nga kjo ndërmarrje kanë theksuar se duhet një bashkëpunim më i madh mes ndërmarrjes dhe qytetarëve që të ketë një qytet më të pastër

Problemi me mbeturinat inerte në Tetovë ndër vite vijon të mos zgjidhet dhe të shkaktojë shumë telashe edhe për ndërmarrjen publike e cila merret me pastërtinë publike. Shumë qytetarë, gjatë pastrimit të shtëpive të tyre sidomos me orenditë shtëpiake, riparimet e ndryshme, renovimet e kështu me radhë, mbetjet i hedhin tek mbeturinat e amvisërive ose jashtë kontejnerëve. Kjo i jep një imazh të keq vet qytetit, ndërsa në këtë aspekt, mangët nuk ka mbetur as pjesa qendrore e qytetit të Tetovës, ndërsa më e theksuar kjo problematikë është hasur në vendet periferike ose vendbanimet rurale. Prandaj, nga Ndërmarrja Publike Komunale në Tetovë kanë dalur me kërkesë deri tek qytetarët të cilët kanë mbetje inerte për të hedhur, të njoftojnë Ndërmarrjen Publike Komunale dhe e njejta do të bëjë largimin e tyre në stacionin e ngarkim-shkarkimit në rrugën Tetovë-Falishtë.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale Samet Bislimi, është shprehur se kjo ndërmarrje vazhdon të kujdeset për pastërtinë dhe pastrimin e hapësirave publike në qytet. Sipas tij, për të qenë më efikas nevojitet bashkëpunim i të gjithë qytetarëve që të arrijmë të krijojmë një qytet më të pastër për ne dhe fëmijët tanë.

“Apelojmë deri te të gjithë qytetarët që mbeturinat inerte të mos i hedhin nëpër trotuare dhe në vende jo të përshtatshme sepse në këtë mënyre jo vetëm që e ndotim ambientin, por po i japim një pamje të keqe qytetit. Për të mos krijuar situata të tilla të pakëndshme Ne kemi angazhuar një ekip të posaçëm që do të bëj bartjen e mbeturinave inerte nga shtëpia deri tek deponia e caktuar nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë. Të gjithë qytetarët të cilët kanë mbeturina inerte luten që të telefonojnë në numrin e telefonit 044-331-167, çdo ditë pune nga e Hëna deri të Premten prej Ora 07:00 – 15:00, dhe ekipi ynë do kujdeset që mbetjet inerte të vijë t’i marr deri tek banesa apo shtëpia juaj. Me këtë duam që bashkërisht të kontribuojmë në pastërtinë e qytetit, pasi vetëm kështu mund të bëjmë më të mirën për qytetin tone”, deklaroi drejtori Samet Bislimi.

Nga kjo ndërmarrje kanë theksuar se duhet një bashkëpunim më i madh mes ndërmarrjes dhe qytetarëve që të ketë një qytet më të pastër. “Për çdo ditë po shohim sesi qytetar të pandërgjegjshëm mbetjet interte i hedhin vend e pa vend, prandaj bëjmë thirrje tek të gjithë që të telefonojnë në numrin e lartpërmendur për të pasur bashkëpunim të suksesshëm. Vetëm një përkushtim dhe një koordinim i juaji dhe i joni do ta ndryshojë pamjen e Tetovës”, tha drejtori Ndërmarrjes Publike Komunale, Samet Bislimi.

Nga ana tjetër, mungesa e deponisë adekuate për mbeturinat e forta apo inerte vazhdon të jetë problem permanent në rajonin e Pollogut. Shumë qytetarë por edhe kompani gjatë rrënimit apo rikonstuimit të objekteve të tyre, mbetjet e forta i hedhin në hapësira publike, në mungesë të një deponie enkas për këtë qëllim. (koha.mk)

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 19 Prill, 2024 19:50