Interi fiton derbin ndaj Milanit dhe shpallet matematikisht kampion i Serie A

Flaka
Botuar nga Flaka 22 Prill, 2024 22:49

Interi fiton derbin ndaj Milanit dhe shpallet matematikisht kampion i Serie A

Inter ka shënuar fitore me rezultat 2-1 në ‘San Siro’ ndaj Milanit, në atë që njihet ndryshe si Derby della Madonnina duke siguruar kështu matematikisht titullin e 20-të të Serie A.

Golin e epërsisë për ‘Nerazzurrët’ e shënoi në minutën e 19-të Francesco Acerbi, i cili pas ekzekutimit të rivënies këndore shënoi me kokë  për 1-0 në cepin e djathtë të Mike Maignan.

Milani nuk tregoi shumë në këtë pjesë të parë, përveç një rasti të Rafael Leaos në minutën e 29-të por gjuajtja e tij ishte shumë e lehtë për t’u ndalur nga Yann Sommer.

Interi pati edhe një mundësi të mirë shënimi në minutën e 38-të, por goditja e Marcus Thuram u ndal nga shtylla.

‘Nerazzurrët’ nuk u ndalën së tentuari për të gjetur golin e dytë, dhe iu afruan atij përsëri në minutën e 40-të kësaj radhe me Henrikh Mkhitaryan, por Maignan reagoi siç duhet për t’ia mohuar golin.

Në pjesën e dytë pati më shumë raste dhe të dyja ekipet arritën që deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit të shënojnë nga një gol.

Për të dyfishuar epërsinë e ‘Nerazzurrëve’ u përkujdes Marcus Thuram i cili shënoi një gol të bukur për 2-0 në minutën e 49-të.

Krejt çka ‘Rossonerët’ arritën të bëjnë në këtë takim ishte një gol i shënuar me kokë nga Fikayo Tomori për të ngushtuar rezultatin në 2-1.

Deri në përfundim të kampionatit kanë mbetur edhe pesë ndeshje, mirëpo Interi tani do t’i luajë ato vetëm sa për statistika./Telegrafi/

Flaka
Botuar nga Flaka 22 Prill, 2024 22:49
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media