Dogana korri 35 milionë euro nga importi i makinave të vjetra, rritje prej 46%

Rina Selimi
Botuar nga Rina Selimi 29 Prill, 2024 09:01

Dogana korri 35 milionë euro nga importi i makinave të vjetra, rritje prej 46%

Vitin e kaluar përmes Drejtorisë doganore shteti ka mbledhur 35 milionë euro taksa për importin e automjeteve, që është një rritje e madhe fiskale në krahasim me vitin para (2022).

Sipas raportit të publikuar nga Drejtoria doganore për vitin 2023, qytetarët dhe kompanitë importuese kanë paguar 2,166 miliardë denarë për tatimin e automjeteve. Rritja e arkëtimit në nivel vjetor është edhe 46.7 për qind më e lartë. Gjatë vitit 2022 ishte rreth 24 milionë euro.

Në mesin e muajit tetor të vitit të kaluar, Qeveria miratoi ndryshime në Dekretin për mënyrën e llogaritjes së taksës për mjetet motorike dhe për shumat e nevojshme për llogaritjen e taksës për mjetet motorike, bazuar në Ligjin për automjete të miratuar në vitin 2019.

Ndryshimet parashikonin taksa më të larta për importin e automjeteve luksoze, si dhe për ato mjete të vjetra që ndotin më shumë ajrin. Autoritetet thanë se rritja e tarifave të importit për një pjesë të automjeteve synon mbrojtjen e mjedisit, përmbushjen e detyrimeve të Marrëveshjes së Klimës të Parisit për uljen e emetimit neto të gazrave, si dhe respektimin e standardeve më të fundit të BE-së.

“Metoda e re, e cila bazohet në matjen e emetimit të gazrave të CO2 të shkarkimit në një mjedis real, është një procedurë e harmonizuar globalisht për testimin e nivelit të emetimeve të dioksidit të karbonit nga automjetet, e cila është e detyrueshme në BE për të gjitha automjetet e sapoprodhuara nga 2022 dhe mundëson një lidhje më të drejtpërdrejtë të taksës së mjeteve motorike me eksternalitetet negative të shkaktuara nga emetimi i CO₂ nga automjetet”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Taksimi i automjeteve është padyshim rritja më e madhe e të hyrave të Drejtorisë doganore me këto 35 milionë euro. Rritje ka tek akciza me 4.1 për qind, tek doganat me 10.3 për qind, ndërsa në mbledhjen e TVSH-së ka edhe rënie prej 5.4 për qind. Për shkak të rënies së inkasimit të TVSH-së, Drejtoria doganore ka shënuar rënie të arkëtimit të përgjithshëm prej 1,1 përqind në vit. Në vitin 2023 janë inkasuar gjithsej 117,8 miliardë denarë ose 1,35 miliardë denarë më pak.

Rina Selimi
Botuar nga Rina Selimi 29 Prill, 2024 09:01