Egjipti: Një propozim i ri për armëpushimin në Gaza është në tryezë

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 29 Prill, 2024 19:58

Egjipti: Një propozim i ri për armëpushimin në Gaza është në tryezë

Egjipti ka konfirmuar se ekziston një propozim i ri për një armëpushim në Rripin e Gazës së bllokuar, transmeton Anadolu.

Gjatë një takimi të Forumit Ekonomik Botërorë në Arabinë Saudite, ministri egjiptian i Punëve të Jashtme, Sameh Shoukry, tha se “ka një propozim në tryezë për të arritur një armëpushim në Gaza”.

Ai i bëri thirrje Hamasit dhe Izraelit që të shqyrtojnë propozimin, por nuk dha detaje të mëtejshme.

“Ne duhet t’i japim fund krizës së vazhdueshme në Gaza për të zgjidhur çështjen palestineze”, tha Shoukry.

Shefi i diplomacisë egjiptiane përsëriti refuzimin e Egjiptit për ndonjë operacion ushtarak izraelit në Rafah të Rripit të Gazës, ku banojnë më shumë se 1.4 milionë palestinezë të zhvendosur.

“Ne theksojmë nevojën për të shmangur një katastrofë humanitare kundër civilëve”, shtoi ai.

Të premten, një delegacion egjiptian i inteligjencës zhvilloi bisedime me zyrtarë izraelitë për të diskutuar një marrëveshje të propozuar për armëpushim në Rripin e Gazës.

Zyrtarë izraelitë për median amerikane Axios thanë se propozimi i ri përfshin gatishmërinë e Izraelit për të diskutuar “rivendosjen e qetësisë së qëndrueshme” në Gaza pas lirimit të parë të pengjeve për arsye humanitare.

Një delegacion i Hamasit sot viziton Egjiptin për të dhënë përgjigjen e tij ndaj propozimit të armëpushimit.

Nesër, siç raporton transmetuesi publik KAN, një delegacion izraelit pritet të vizitojë Egjiptin për të ndjekur negociatat indirekte me Hamasin për një armëpushim më Gaza.

Hamasi vlerësohet se mban më shumë se 130 pengje izraelite, ndërsa Tel Avivi mban mbi 9.100 palestinezë në burgjet e tij.

Për çdo marrëveshje shkëmbimi pengjesh me Tel Avivin, Hamasi kërkon dhënien fund të ofensivës vdekjeprurëse të Izraelit në Rripin e Gazës dhe tërheqjen e forcave izraelite nga territori palestinez.

Një marrëveshje e mëparshme në nëntor të vitit 2023 çoi në lirimin e 81 izraelitëve dhe 24 të huajve në këmbim të lirimit të 240 palestinezëve, prej të cilëve 71 gra dhe 169 fëmijë.

Izraeli ka kryer një ofensivë brutale në enklavën palestinezë që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, për të cilin Tel Avivi thotë se u vranë afër 1.200 njerëz.

Që atëherë, të paktën 34.500 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 77.600 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së madhe të nevojave.

Më shumë se gjashtë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha, sipas OKB-së, duke çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 29 Prill, 2024 19:58