Policia shton kontrollet ndaj motoçiklistëve

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 29 Prill, 2024 19:38

Policia shton kontrollet ndaj motoçiklistëve

Nga policia paralajmërojnë të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion por në veçanti motoçiklistët, mos të dalin në komunikacion pa pajisje adekuate sepse dënimet janë të larta

Në rrugët e rajonit të Pollogut në këtë periudhë të vitit gjithnjë vërehet çdo ditë frekuentim më i madh i motoçiklistëve. Këta motoçiklistë janë të moshës se re, janë pa leje adekuate dhe pa respektuar rregullat e pjesëmarrjes në komunikacion dalin në rrugë. Pjesa dërmuese nuk përdorin helmeta mbrojtëse, kurse nuk mungojnë edhe vozitësit që drejtojnë këta motoçikleta pa regjistrim.

Nga Policia e Tetovës, apelojnë deri tek motoçiklistët që në mënyrë obligative të shfrytëzojnë pajisjet mbrojtëse, të mos drejtojnë motoçikletat pa leje adekuate dhe në kohë të regjistrojnë të njëjtat. Nga policia e Tetovës thonë se në periudhën që vjen do të ketë edhe kontrolle më të shpeshta ndaj tyre, me qëllim që në kohë të zbulohen dhe sanksionohen ata persona që rrezikojnë jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në komunikacion.

“Me ngrohjen e kohës, në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit, ndjeshëm është rritur prezenca e motoçiklistëve, kryesish në orët e vona të pasdites dhe gjatë mbrëmjeve. Sektori i punëve të brendshme Tetovë apelon motoçiklistët që detyrimisht të posedojnë patentë adekuate për vozitje, gjegjësisht kategorinë e posaçme M ose kategorinë A, në kohë të regjistrojnë motoçikletat ose nëse kemi të bëjmë me kategoritë e vogla të motoçikletave të vazhdojnë policën e sigurimit dhe të shfrytëzojnë pajisjet mbrojtëse si veshjet për motoçiklistë dhe helmetat mbrojtëse. Motoçiklistët gjithashtu paralajmërohen që të përshtatin shpejtësinë sipas kushteve dhe përkufizimeve të rrugës dhe të mos lëvizin paralelisht njëri pranë tjetrit, po njëri pas tjetrit”, thotë Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

Nga policia paralajmërojnë të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion por në veçanti motoçiklistët që mos dalin në komunikacion pa pajisje adekuate sepse dënimet janë të larta. “Krahas kësaj, të mos barten në motoçikletë më shumë persona prej asaj që është e lejuar dhe të mos lëvizin pa pajisjet adekuate mbrojtëse. Sektori i punëve të brendshme Tetovë, gjatë muajit që kaloi dhe këtij muaji, i ka përforcuar aktivitete kontrolluese në rajonin më të gjerë të Tetovës dhe Gostivarit, ku theks i veçantë është mes tjerash kanë qenë motoçiklistët të cilëve për çdo ditë i’u përgatiten parashtresa adekuate, ku më së shumti kemi të bëjmë me mos përdorimin e pajisjeve mbrojtëse, duke përmendur se gjoba në para për këtë lloj të shkeljes është 50 euro në kundërvlerë të denarit”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-Tetovë. Kësisoj, gjatë kësaj periudhe në masë të madhe rritet frekuentimi jo vetëm i automjeteve por edhe i motoçiklistëve, biçiklistëve dhe lloje të ndryshme të motorëve sidomos të atyre me katër rrota. Problem në vete është se të njëjtit mund të hasen edhe në vendbanimet rurale sidomos në rrugë lokale ku ka më pak prezencë të policisë. (koha.mk)

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 29 Prill, 2024 19:38