Teatri dhe Biblioteka e Tetovës, premtimi i neglizhuar 

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 29 Prill, 2024 19:30

Teatri dhe Biblioteka e Tetovës, premtimi i neglizhuar 

Projektet në kulturë, Salla Universale, Teatri Turk…. e të tjera janë kryefjala e njoftimeve publike të Ministrisë së Kulturës, ndërsa një prej atyre kapitale që zvarritet prej vitesh, Teatri dhe Biblioteka e Tetovës është lënë në hije. Pavarësisht se për më shumë se një dekadë është një prej projekteve më të keqpërdorur nga politikanët shqiptarë, herë si premtim zgjedhor e në shumë raste si argument konfrontimi dhe akuzash për korrupsion

 Ndërsa  premtimet për realizmin e një sërë projekteve në kulturë në këtë periudhë parazgjedhore, si Salla Universale, Teatri Turk…. e të tjera janë kryefjala e njoftimeve publike të Ministrisë së Kulturës, një prej projekteve të fundit kapitale që zvarritet prej vitesh, ndërtimi i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës është lënë në hije. Në një prej njoftimeve më të fundit, sipas Programit vjetor të Ministrisë së Kulturës, fondi i akorduar për vijimin e punimeve në Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës është 195 milionë denarë, ose 5 milionë denarë më pak nga sa ishte parashikuar në dokumentin e kontraktuar në vitin 2021 kur filloi realizimi i fazës së dytë të projektit. Edhe një vit më parë, në 2023, fondi për projektin e ndërtimit të Teatrit dhe Bibliotekës u reduktua në vetëm 135.591.000 denarë, ose rreth 200 milionë denarë më pak sesa vetë Ministria e Kulturës kishte planifikuar. Me dinamikën e deritanishme punimet kanë arritur në pjesën e ndërtimit të skenës. Kështu pohojnë nga Qendra e Kulturës. Drejtori Vullnet Fejzullai thotë se deri tani punimet ecin pa ndonjë lloj ndryshimi e që nga fillimi i fazës së dytë janë realizuar punime në shumën prej 388 milionë denarë.

“Nëse pagesat do të vijojnë siç duhet 2025, maksimumi deri në shkurt të vitit 2026 objekti duhet të përfundojë”, thotë Fejzullai.

Projekti për ndërtimin e Bibliotekës dhe Teatrit të Tetovës, ka nisur që në vitin 2014 dhe pas shumë ngecjesh, spostime afati për fillimin apo përfundimin e fazës së parë, në vitin 2021 kur rifilluan punimet e ndërprera dhe nënshkrimi i kontratës afati i sorëzimit duhej të ishte 31 dhejtori i vitit 2025. Projekti do të ketë një kosto financiare prej 40 milionë euro dhe më shumë se një dekadë pritje. Përshpejtimin e punimeve e kanë premtuar mbi pesë ministra, por asnjë prej tyre nuk ka arritur të presë shiritin e inaugurimit. Madje disa kohë më parë ministrja aktuale e kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska. Sipas saj, projekti do të mbyllet në vitin 2027, bazuar në dinamikën e burimeve financiare të siguruara.

“Ky projekt ka nisur që në vitin 2014…, që nga viti i kaluar ka nisur realizimi i fazës për kryerjen e të gjitha punimeve montuese, mekanike dhe teknike të skenës, rregullimin e brendshëm dhe mobilimin e objektit. Ky projekt është shumëvjeçar dhe sipas dinamikës së burimeve financiare të siguruara, duhet të përfundojë brenda vitit 2027”, pati deklaruar Stojçevska.

Teatri dhe Biblioteka do të ketë edhe dy salla, sallën e vogël dhe sallën e madhe, ndërsa biblioteka do të ketë dy kate, njëri është paraparë për lexuesit e vegjël dhe tjetri për të gjithë qytetarët. Po ashtu rreth 130 vende për parkim, kinema që i mungon qytetit të Tetovës. (koha.mk)

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 29 Prill, 2024 19:30