“Mozaiku i Antikitetit” i ekspozuar në muzeun e Kalasë së Rozafës

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 30 Prill, 2024 21:30

“Mozaiku i Antikitetit” i ekspozuar në muzeun e Kalasë së Rozafës

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ndau në rrjetet sociale kuriozitete mbi Mozaikun e Antikitetit.

Mozaiku ka 24 fragmente, por vetëm 8 prej tyre janë të ekspozuara në Muzeun e Kështjellës. Ai u zbulua në muajin tetor të vitit 1977 dhe njihet ndryshe edhe si Mozaiku i Bahçallëkut.

Zbulimi u bë në bregun e djathtë të lumit Drin, 100 m në lindje të urës së vjetër të Bahçallëkut, në veri me rrugën që shkon nga ura për tek Xhamia e Plumbit.
Mozaiku doli si pjesë e një godine me karakter shoqëror, i pari i këtij lloji që zbulohej në qytetin e Shkodrës.

Gërmimet e viteve 1978-1979 u shtrinë po aty në një zonë me territor më tepër se 400 m², dhe u zbulua që ndërtesa ishte pjesë e një mikrolagjeje e qytetit ilir të Shkodrës e ngritur midis shekujve IV-VI pas Krishtit, me jetë mjaft intensive sociale.

Më herët, në kuadër të iniciativës së “Javës së Mozaikëve”, DRTK Shkodër dhe bashkia e këtij qyteti organizuan një punëtori me nxënës të shkollave 9-vjeçare të cilët u njohën me historinë e kulturën e periudhës së antikitetit përmes njohjes së mozaikut, si një art tradicional i kohës.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 30 Prill, 2024 21:30